Një shtetas shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Itali, pasi u kap në flagrancë për grabitje si pjesë e një bande të ashtuquajtur “skifterësh”, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë “Glock”, e mbushur dhe gati për përdorim.
I arrestuari është identifikuar si Kristian Caka, 26 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas autoriteteve italiane, arma e sekuestruar ishte gjysmëautomatike dhe aktiviteti kriminal dyshohet se zhvillohej kryesisht në zonën e Romës.
Ngjarja ndodhi teksa i riu po udhëtonte përgjatë rrugës Corso Casale, me një automjet tip “Fiat Panda”, së bashku me një person tjetër. Lëvizjet e dyshimta të makinës kanë tërhequr vëmendjen e karabinierëve, të cilët vendosën të ndërhyjnë për kontroll.
Në momentin që efektivët tentuan ndalimin e mjetit, dy pasagjerët e braktisën automjetin dhe u larguan me vrap. Pas një ndjekjeje të shkurtër, karabinierët arritën të kapnin njërin prej tyre, shtetasin shqiptar.
Gjatë kontrollit personal, atij iu gjet në çantën marsup një pistoletë “Glock” e kalibrit 45, me karikator të futur dhe 13 fishekë brenda. Po ashtu, u sekuestruan edhe dy byzylykë, tre unaza ari të zbukuruara me gurë të çmuar dhe një unazë argjendi, të dyshuara si të vjedhura nga banesa të ndryshme.
Një kontroll i mëvonshëm i automjetit të braktisur në mes të rrugës çoi në gjetjen e katër orëve luksoze nga marka të njohura, të cilat dyshohet se ishin gjithashtu produkte grabitjeje.
I shoqëruar në stacionin e policisë, i riu u identifikua si Kristian Caka, 26 vjeç, pa adresë të caktuar banimi. Sipas të dhënave policore, ai kishte mbërritur në zonën e Asti-t me qëllim kryerjen e disa grabitjeve të përsëritura. I arrestuari nuk ka zbuluar identitetin e bashkëpunëtorit të tij, i cili arriti të arratisej.
Kristian Caka u arrestua për posedim të paligjshëm të armës së zjarrit dhe marrje të mallrave të vjedhura. Hetimet e mëvonshme zbuluan se arma e sekuestruar ishte vjedhur nga një banesë në Rimini në qershorin e kaluar, raporton gazeta italiane “La Stampa”.



