Autoritetet serbe po e ndjekin me shqetësim procesin e armatosjes së Kosovës, duke e konsideruar si rrezik për sigurinë e Serbisë faktin që Prishtina ka investuar, sipas vlerësimeve të Beogradit, rreth 430 milionë euro në pajisje ushtarake dhe armatim gjatë viteve të fundit.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se dërgesat e fundit të pajisjeve ushtarake në Kosovë, të ardhura nga Turqia dhe vende të tjera, dëshmojnë, sipas tij, një “militarizim të intensifikuar të institucioneve të përkohshme të Prishtinës”, të cilin ai e cilësoi si burim të rreziqeve serioze për sigurinë rajonale.
Drecun theksoi se që nga fillimi i fazës përfundimtare të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është rritur ndjeshëm pajisja dhe stërvitja e këtij formacioni, proces që, sipas tij, bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai shtoi se vetëm gjatë katër viteve të fundit në FSK janë investuar rreth 430 milionë euro, kryesisht në pajisje dhe armatim.
Sipas përfaqësuesit serb, përveç rritjes së buxhetit ushtarak, vërehet edhe zgjerimi i marrëveshjeve bilaterale dhe të inteligjencës, si dhe pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në stërvitje ushtarake ndërkombëtare.
Ndërkohë, më 6 janar, Kosova pranoi dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili theksoi se OMTAS është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.
Sipas ministrit Maqedonci, rritja e lshumllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur kështu fleksibilitetin operacional të ushtrisë së Kosovës.
Sistemet OMTAS karakterizohen nga një diametër prej 160 mm, gjatësi 1.8 metra dhe peshë rreth 35–36 kilogramë, ndërsa rrezja e veprimit shtrihet nga 200 deri në 4,000 metra. Ato janë të pajisura me kërkues infra të kuq, kokë predhe anti-tank me shpërthim të dyfishtë dhe mundësi përdorimi në mënyra të ndryshme sulmi, përfshirë sulmin direkt dhe atë nga lart.
Zhvillimet e fundit në fushën e mbrojtjes së Kosovës kanë rikthyer në vëmendje debatet mbi sigurinë dhe balancat ushtarake në Ballkan, në një rajon ende të ndjeshëm ndaj retorikës dhe veprimeve që perceptohen si kërcënuese.



