Shqipëria disponon produkte bujqësore dhe verëra cilësore, të certifikuara tashmë edhe me çmime ndërkombëtare, por mungesa e mbrojtjes ligjore për varietetet autoktone mbetet një rrezik serioz. Kështu u shpreh ekspert i sektorit agro-ushqimor Ilir Pilku në A2CNN ku theksoi domosdoshmërinë e patentimit të rrushit “Shesh i Zi”.
Sipas tij, vetëm një muaj më parë një kantinë shqiptare u vlerësua me çmimin e parë në Beograd, në nivel rajonal, për verën rosé, ndërsa verërat e kuqe shqiptare, veçanërisht ato të prodhuara nga varieteti “Shesh i Zi”, po marrin vlerësime të jashtëzakonshme edhe jashtë vendit.
“Shesh i Zi është varietet autokton shqiptar, por rrezikon të përvetësohet nga Italia, e cila mund ta patentojë si të vetin. Ministria e Bujqësisë duhet të veprojë më shpejt për ta mbrojtur ligjërisht këtë pasuri kombëtare,” – theksoi ai.
Eksperti nënvizoi se vera e kuqe “Shesh i Zi” arrin deri në 15.5 gradë alkool dhe konsiderohet si një nga pjesët më të mira të tavolinës shqiptare, veçanërisht gjatë festave. Krahas verës, ai përmendi edhe cilësinë e rakive tradicionale shqiptare, si rakia e rrushit të Skraparit, rakia e kumbullës nga zona e Peshkopisë, rakia e manaferrës, e thanës nga Preza, si dhe prodhime të tjera artizanale nga Bubështica dhe Pogradeci.
“Pa një raki rrushi ‘perlë’, nuk fillon as darka dhe as nata e Krishtlindjeve,” – u shpreh ai, duke theksuar se tavolina shqiptare ka potencial të jetë e pasur, e shëndetshme dhe e sigurt nga ana ushqimore, por edhe mbështetëse për fermerët vendas.
Nga ana tjetër, ai ngriti shqetësimin për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Shqipëri gjatë festave të fundvitit, në kontrast me vendet e rajonit dhe Europës, ku çmimet zakonisht ulen. Sipas tij, çmimet anormalisht të ulëta në disa raste janë gjithashtu sinjal rreziku për abuzime dhe probleme me cilësinë.
“Një produkt që kushton 1 mijë lekë gjatë gjithë vitit dhe papritur gjendet shumë më lirë gjatë festave, duhet parë me kujdes,” – paralajmëroi ai.



