Shqipëria ka bërë hapin e parë drejt vendosjes së fluturimeve ajrore transoqeanike me Kanadanë, pas miratimit në parim të marrëveshjes së re dypalëshe për transportin ajror. Vendimi u mor sot nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kanadasë për transportin ajror, sipas tekstit që i bashkëlidhet vendimit.
Ky hap formal i hap rrugë negociatave të mëtejshme dhe finalizimit të marrëveshjes, e cila pritet të lehtësojë nisjen e fluturimeve direkte mes dy vendeve — një zhvillim me rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare në Kanada dhe për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe tregtare.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë.



