Nëse doni emocione të vërteta provoni Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë, shkruan Tristan Kennedy për prestigjiozen ”National Geographic”.
“Të zbresësh nga një helikopter në lartësinë 2 200 metra në një shpat mali të mbuluar nga bora, është një shpërthim zhurme dhe lëvizjesh kaotike.
“E kam të pamundur të sigurohem çfarë ka poshtë, ndaj nuk do të ulem,” thotë piloti ynë, Detlef Gensel, në radio teksa afrohemi.
Në vend të uljes, ai thotë se do të rrijë pezull, vetëm me majat e skive të helikopterit që prekin borën, ndërsa motori mbetet ndezur. Ne duhet të lëvizim shpejt. Sapo hapet dera, gumëzhima e kabinës zëvendësohet nga goditja e fortë e helikave që shkundin ajrin. Ne dalim me nxitim nga ndenjëset dhe zbresim gjashtë centimetrat që shkëputin skidet nga bora. Ulim trupat, mbrojmë fytyrat me syze dhe doreza nga grimcat e akullta që na godasin. Guidat luftojnë me shportën metalike të lidhur në njërën anë të helikopterit, duke nxjerrë ski, dërrasa, shkopinj dhe pajisjet e sigurisë kundër ortekëve. E më pas, me një sinjal të stilit Top Gun, Detlef ngrihet, largohet mbrapa dhe zhduket poshtë luginës. Helikopteri rrotullohet 180 gradë dhe fluturon, duke na lënë plotësisht vetëm.
Jemi në një majë pa emër në një nga zonat më të largëta të Europës: Bjeshkët e Namuna, që lidhin kufijtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Prej nga e kanë marrë këtë emër — “Bjeshkët e Nemuna” në shqip dhe “Prokletije” në hjuhën malazeze — mbetet ende e diskutueshme. Disa thonë se Djalli vetë i krijoi këto male; të tjerë se janë mallkimi i ushtarëve sllavë që humbën shokët e tyre në këto shpate. Cilado qoftë e vërteta, ky është një vend i pakalueshëm. Ujqër e arinj lëvizin të lirë, duke u shfaqur herë pas here në fshatrat e izoluara të luginave. Turistët janë të rrallë, madje edhe verës. Ndërsa në thellësi të dimrit, kur shumica e kalimeve malore janë të bllokuara nga bora, vizitorët janë pothuajse të paprekshëm. Megjithatë, kjo terren i egër është i përsosur për skitë jashtë pistës — pikërisht atë që kemi ardhur të kërkojmë.
Qëndrojmë në Luginën e Valbonës, në parkun kombëtar me të njëjtin emër, në anën shqiptare të vargmalit, majat e së cilit të kujtojnë Dolomitet italiane. Kemi në dispozicion 1,500 kilometra katrorë të boshatisur me kupola alpine, lugina të pjerrëta dhe pyje të rralla. Zbritja jonë e parë, vetëm 500 metra vertikalë në borë të freskët, na ofron të treja këto elemente. Në këtë pjesë të Bjeshkëve të Namuna nuk ka infrastrukturë. Nuk ka teleferikë, pista apo rrugë hyrëse. Dhe kjo e bën zonën perfekte për heliski.
“Zona është vërtet e pabesueshme, do ta shihni, ka gjithçka,” tha Seb Fleiss, bashkëthemelues i Heliski Albania, gjatë trajnimit të sigurisë një natë para fluturimit të parë. Ish-snowboarder profesionist kroat, Seb e njihte anën malazeze dhe kosovare të vargmaleve që nga koha e garave në Jugosllavinë e dikurshme. Por në vitin 2017, kur u punësua si koordinator lokal për kompaninë amerikane të filmave të skive Teton Gravity Research, ai zbuloi Luginën e Valbonës. Pas gjashtë javësh eksplorimi me katër skiatorë profesionistë, dy helikopterë dhe orë të tëra fluturimi, Seb telefonoi sipërmarrësin shqiptar Viktor Vlashi. “I thashë: ‘Duhet ta komercializojmë këtë vend, sepse është thjesht mahnitës.’”
Në bord sërish, fluturojmë mbi dëborë, midis zonave të zbritjes. Detlef, pilot për Vlashi mbi një dekadë, na tregon disa nga trajektoret që skitarët profesionistë zgjodhën në 2017. Njëra prej tyre, “Linja e Fabi-t”, e freerider-it austriak Fabian Lentsch, është një seri zbritjesh të verbra e vdekjeprurëse përgjatë një kreshtë të pjerrët. Po të mos e kishim parë videon te laptopi i Seb-it një natë më parë, do të ishte e vështirë të besoje se një njeri mund të zbriste andej dhe të mbijetonte. “Dhe sigurisht, ai duhej ta bënte me një marrje të vetme për kamerën,” thotë Detlef me një buzëqeshje.
Ne nuk bëjmë asgjë aq ekstreme gjatë udhëtimit tonë. Por është e pamundur të mos ndihesh si profesionist teksa rrëshqasim në faqet e paprekura të mbuluara me borë të butë. Kjo është një nga avantazhet më të mëdha të Heliski Albania — dhe një nga arsyet që Seb dhe miqtë e tij u dashuruan me Valbonën. “Kur erdhëm për herë të parë, binte borë me rrëmbim,” thotë ai. Mali Jezercë, maja më e lartë e parkut, arrin vetëm 2,694 metra mbi nivelin e detit. Por afërsia me Adriatikun, që sjell lagështi gjatë stuhive të dimrit, bën që Bjeshkët e Namuna “të marrin deri në 15 metra borë në një sezon të mirë,” thotë Seb. Njësoj si Niseko në Japoni.
Sfida e ngritjes së operacionit
Të ngrije një operacion heliskiu në një vend aq të egër sa Valbona nuk ishte e lehtë. Shumica e vizitorëve, përfshirë edhe mua, fluturojnë drejt Prishtinës në Kosovë, një udhëtim treorësh drejt kufirit. Gjatë rrugës, Seb më tregoi historinë e trazuar të zonës. “Ne mendonim se nuk kishim shumë liri duke u rritur në Jugosllavinë komuniste, por këtu në Shqipëri ishte në nivel tjetër,” tha ai. Vendi ishte pothuajse i izoluar nga 1945 deri në 1991 nën diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Bunkeret e shumtë prej betoni që shohim nga dritarja janë prova e një mentaliteti paranojak mbrojtjeje kundër një pushtimi që nuk erdhi kurrë.
Pas vitit 1991, regjimi u shemb dhe ekonomia shqiptare u rrëzua. Shqipëria i shpëtoi për pak një lufte civile si ajo e ish-Jugosllavisë, por popullsia vuajti rëndë — sidomos në Tropojë dhe Luginën e Valbonës. Megjithatë, shohim edhe shenja shprese. Në Bajram Curri vërehen makina të reja, shumë prej tyre SUV me targa britanike — të sjella nga diaspora që po kthehet gjithmonë e më shumë.
Hotel Margjeka, baza e operacioneve të Heliski Albania, është një shembull tjetër i zhvillimit të zonës. “Kur hapëm në 2012, ishim vetëm ne dhe dy të tjerë,” thotë Janet Margjeka, matriarkja e familjes që e drejton hotelin. Tani ka shumë më tepër, dhe falë heliskiut, hoteli qëndron hapur edhe dimrit. Atmosfera është e ngrohtë dhe pritëse; fëmijët e saj shkojnë e vijnë, duke praktikuar anglishten me vizitorët, ndërsa kuzhina shërben gatime të shijshme tradicionale: ajvar, flija dhe produkte lokale.
Në mbrëmje ecim deri te Valbona Resort & Spa, hoteli më i ri i luginës, hapur në vitin 2024 — një dëshmi e qartë se turizmi po ndryshon ekonominë lokale. “Është fantastike, duam më shumë vizitorë dimri,” thotë menaxheri Ervin Ponari.
Fushat e borës së paprekur
Guida malore Paul Swail, John McCune dhe Will Sim janë profesionistë të jashtëzakonshëm. Ndërsa ekipi është i madh, ylli i padiskutueshëm i Heliski Albania mbetet piloti gjerman Detlef Gensel. Nëse pilotimi është si të jesh baterist — duke lëvizur secilën gjymtyrë në mënyrë të pavarur dhe në harmoni — atëherë Detlef është si të ulesh pranë Charlie Watts: mjeshtër, i qetë dhe i përmbajtur.
Pas disa ditësh reshje të dendura bore që na mbajnë në hotel, zgjohemi të nesërmen në 6 të mëngjesit: moti duket sërish i ngarkuar. Fluturimi duket i pamundur. Por sapo droni kapërcen shtresën e reve dhe zbulon diellin lart, Detlef ka një plan. Ngrihemi duke fluturuar ulët mbi pyje deri në Bajram Curri, ku qielli është i pastër, dhe ngjitemi në diellin e artë.
Zbritjet e mëngjesit janë të paharrueshme — borë e butë, fytyra të virgjëra, britma gëzimi. “Shumica e këtyre terreneve nuk janë skijuar kurrë,” thotë Detlef ndërsa na çon drejt pikës tjetër të uljes.
Zbritja e fundit na çon përgjatë krahëve të një maje në anën jugore të Valbonës. Nga lart, retë e ulëta duken si një shtresë shkumë kapuçinoje që mbulon luginën. Diku poshtë është hoteli, pjesa tjetër e botës. Por këtu lart, sërish, jemi vetëm, përballë një fushe bore të paprekur — dhe aty në fund, mbi një shkëmb, ndodhet helikopteri i kuq i Detlefit, gati për të na marrë në shtëpi.



