Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokim të mjeteve buxhetore dhe për paralizim të shërbimeve bazë, përfshirë transportin publik.
Në një postim në Facebook, Murati tha se Thesari ka alokuar buxhetin e muajit dhjetor që të premten pasdite, madje para afatit të zakonshëm, me qëllim që Komuna të kishte mundësi të paguante faturat e shërbimeve esenciale si energjia elektrike dhe derivatet.
Sipas tij, pavarësisht alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës nuk ka kryer asnjë pagesë, duke u larguar nga puna dhe duke thënë se “do t’i kryejmë të hënën”.
“U habita sepse kjo sjellje nuk përkonte me urgjencën që ata kishin paraqitur kur kërkuan alokim të parakohshëm”, shkroi Murati, duke akuzuar kryetarin Rama se ka shfrytëzuar fundjavën për propagandë politike kundër Qeverisë.
Ai shtoi se ky episod “sqaron edhe arsyen pse deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend”, duke i akuzuar për dëmtim të interesave të qytetarëve.
Ndërkohë, kryetari Përparim Rama, në konferencën e së dielës, nuk e përmendi alokimin e buxhetit për dhjetor, por këmbënguli se Komuna e Prishtinës ka të bllokuara 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë janë të hyrat vetanake, që sipas tij nuk janë bërë pjesë e buxhetit.
“Buxheti është bllokuar për arsye politike, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, tha Rama. Ai paralajmëroi se nga e hëna transporti publik dhe privat në kryeqytet do të ndalet pasi ndërmarrjet nuk kanë marrë pagesa prej muajsh.
“Shërbimet e transportit urban janë të papaguara prej muajsh dhe nuk mund të paguajnë as derivatet”, deklaroi Rama, duke kërkuar që Ministria e Financave të veprojë në përputhje me ligjin.
Përplasjet mes Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës po zhvillohen në prag të ndërprerjes së shërbimeve bazë, ndërsa qytetarët e kryeqytetit pritet të përballen me mungesë transporti dhe vonesa në pagesat e sektorëve të tjerë publikë.
Pavarësisht akuzave të ndërsjella, asnjëra palë nuk ka konfirmuar një zgjidhje të menjëhershme për situatën e krijuar.



