Të mos lejojmë që një komunitet shqiptar të mbetet “memec” përballë historisë
Nga Mihal Ciko, gazetar
Ka diçka thellësisht tronditëse në heshtjen. Në atë heshtje ku gjaku flet, por gjuha mungon. Kështu janë sot shqiptarët e Argjentinës – bij dhe nipa të emigrantëve që u nisën një shekull më parë nga një Shqipëri e varfër, por krenare. Ata e ruajnë në shpirt dashurinë për atdheun e të parëve, por në gojë nuk u del më asnjë fjalë shqip. Në Berisso dhe Buenos Aires, nëpër vallet e bukura dhe kostumet me ngjyra të flamurit, rreh ende zemra shqiptare. Shoqatat “Skënderbeu” dhe “Bashkimi” bëjnë çmos për ta mbajtur gjallë këtë frymë – me këngë të mësuara nga YouTube, me gatime tradicionale, me fotografi të vjetra dhe kujtime që shuhen dalëngadalë. Por ajo që mungon është fjala shqipe, tingulli i atdheut që i bashkon. Pse? Sepse mungon kujdesi i shtetit shqiptar. Mungon abetarja, mungon shkolla, mungon ambasada.
Kur Ambasada e Shqipërisë ishte në Buenos Aires, kontakti ishte simbolik. Tani as ajo nuk ekziston më. Selia është zhvendosur në Brazil dhe me të është ftohur edhe lidhja e fundit institucionale që kishte ky komunitet me mëmën Shqipëri. E megjithatë, këta njerëz nuk kanë harruar kush janë.
Në festivalet e emigracionit në Argjentinë, shqiptarët dalin krenarë me flamurin kuqezi, me bakllavanë e me pilafin e gjyshes, me veshjet e vallet e tyre. Por kur vjen radha për këngën – s’ka kush ta këndojë. E këtu qëndron drama: dashuria për atdheun është e gjallë, por fjala është harruar. Nëse gjuha është shpirti i kombit, atëherë shqiptarët e Argjentinës janë shpirtra që kërkojnë të flasin. Ata nuk kërkojnë ndihma, por lidhje.
Nuk kërkojnë mëshirë, por kujdes. Ata duan abetaren, librin shqip, një mësues që t’u mësojë fëmijëve “mirëmëngjes” e “faleminderit”. Duan të dinë nga vijnë. Është koha që shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Jashtme, të kthejë vëmendjen nga kjo diasporë e harruar. Të mos i lëmë jetimë në fund të botës. Të krijohen mundësi për mësimin e gjuhës shqipe, për kontakte kulturore, për pjesëmarrje në jetën kombëtare si çdo komunitet tjetër shqiptar në Evropë apo Amerikë.
Sepse çdo fjalë shqip e mësuar në Buenos Aires është si një dritë që ndriçon rrugën e gjatë nga Andet deri në male shqiptare. Le t’i ndihmojmë të mos heshtin më. Le t’u kthejmë zërin. Zërin e shqipes



