Gjatë vizitës në New York, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë në Amerikë (APEN).
Në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur se në takimin me APEN, Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e këtij rrjeti në krijimin e platformave që afrojnë profesionistët shqiptarë dhe ofrojnë mundësi bashkëpunimi.
“Jemi mbledhur këtu sot jo vetëm si profesionistë, por si shqiptarë krenarë, të bashkuar nga një trashëgimi e përbashkët dhe nga angazhimi për të ndërtuar ura mes atdheut dhe komunitetit tonë në diasporë,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë gjithmonë burim krenarie, për angazhimin dhe kontributin e tij si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë. “Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju po e çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton identitetin tonë si popull. Suksesi juaj është dëshmi se diaspora jonë nuk është thjesht një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, zhvillim dhe progres në të dy anët e Atlantikut,” tha ai.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte edhe vizioni i qeverisë për angazhimin e diasporës. Kurti nënvizoi se në këtë mandat janë nisur projekte konkrete për përfshirjen e profesionistëve të rinj, me qëllim lidhjen e njohurive, burimeve dhe rrjeteve.
Ai përmendi programin “Bursa e Diplomacisë Qytetare”, përmes së cilës profesionistë të rinj nga diaspora po angazhohen në sektorin publik të Kosovës, duke sjellë ekspertizën e tyre dhe duke kontribuar në formësimin e të ardhmes së vendit. “Ne duam të tregojmë se Kosova sot është një republikë e suksesshme, demokratike dhe e zhvilluar në Evropë, ku mund të kontribuosh e të përfitosh,” shtoi ai.
Kryeministri prezantoi gjithashtu “Dritaren për Investimet e Diasporës”, pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, duke e cilësuar si një urë që lidh breza, profesione dhe komunitete në të dy anët e Atlantikut.
“Besoj se mund të arrijmë shumë duke punuar krah për krah me diasporën tonë, me synimin për një komunitet të bashkuar që tejkalon secilin prej nesh si individë. Çfarë duhet të bëjmë më shumë si shqiptarë, kudo ndodhemi, është të investojmë në sukseset e njëri-tjetrit dhe në suksesin e gjeneratave të ardhshme,” theksoi Kurti.
Ai vuri në dukje se përparimi i komunitetit shqiptar në New York dhe në Shtetet e Bashkuara është i lidhur ngushtë me të ardhmen e Kosovës.
Rrjeti APEN, i themeluar në vitin 2007 nga të rinj shqiptaro-amerikanë në New York, ka si mision fuqizimin e profesionistëve shqiptarë dhe avancimin e komunitetit në SHBA.


