Nuk ka munguar në asnjë nga festat tona kombëtare ku është shfaqur duke bërë shenjën simbolike me duar të shqiponjës. I ka promovuar vetë këto takime me komunitetin në rrjetet sociale, me qeleshen shqiptare në kokë, dhe së fundi, në një pritje të organizuar për ne, në Gracie Mansion, rezidencën e famshme të kryebashkiakëve, u dha shqiptarëve më në fund, Ditën e tyrë të Paradës Kombëtare në New York. (Është mbase tipike që organizuesit e kësaj parade po mbështesin një tjetër kandidat në zgjedhjet e nëntorit dhe jo njeriun që për herë të parë në histori na futi në klubin ekskluziv të komuniteteve që kanë paradat e tyre.)
Nën kryebashkiakun Adams, gjuha shqipe iu bashkua dhjetë gjuhëve të privilegjuara në New York, në të cilat përkthehen rregullisht të gjitha njoftimet zyrtare të Bashkisë, duke e ngjitur komunitetin tonë përsëri në grupin e ngushtë të komuniteteve më të shquara të Qytetit, ku jetojnë rreth 200 komunitete të tilla.
Të mërkurën në mbëmje, në Darkën e AARC-së, ai u prezantua nga Mark Gjonaj që ka bërë vetë histori në komunitetin tonë, si i pari shqiptar i zgjedhur në Asamblenë e Shtetit të New York-ut dhe në Këshillin Bashkiak të Qytetit. Me mënyrën pasionante që ia karakterizon retorikën, Gjonaj përndezi sallën dhe lavdëroi shumë kryebashkiakun Adams, të cilit i dhuroi Çmimin Nënë Tereza, në emër të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane.
Fjalimi i kryebashkiakut Adams me këtë rast ishte diçka më vete. Duke e vlerësuar shumë praninë shqiptare në Qytetin e tij, ai e bëri sallën të qeshte dhe të duartrokiste kur tha se “New York-u është Tirana e Amerikës”.
Duke iu referuar fjalimeve të dy presidentëve Begaj dhe Osmani, ai tha se kishte dëgjuar shumë aty se si shqiptarët i kishin borxh Amerikës, por ishte aty që të na tregonte se e kundërta është e vërtetë. “Jemi ne që ju kemi borxh. U fol shumë këtu për kontributin e Amerikës, por unë do të flas për kontributin tuaj në Amerikë. Kudo ku jeni vendosur e keni lulëzuar lagjen, ia keni ngritur vlerën, ekonominë, mirëqënien”.
“Jemi ne që ju jemi borxhlinj dhe ju falenderojmë për gjithshka që keni bërë”, tha ai. Duke shtuar në fund, se deri sa të zgjidhej vërtet një shqiptar në krye të Bashkisë, ai do ta quante veten kryebashkiaku i parë shqiptar i New York-ut”.
Ndërsa darka vazhdoi me fjalime e ngjarje të tjera, dhjetëra shqiptarë u mblodhën rreth tij, duke u fotografuar me të e duke shkëmbyer mesazhe falenderimi.