Eurodeputetët në Parlamentin Evropian shprehën shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë në Serbi, duke vlerësuar se gjatë dhjetë muajve të fundit vendi ka përjetuar një nivel të ri të represionit, dhunës dhe polarizimit. Sipas tyre, presidenti Aleksandër Vuçiç ka vendosur një model autoritar pushteti, i cili nuk përputhet me standardet e Bashkimit Evropian.
Debati, i fokusuar në ndërhyrjen brutale të policisë gjatë protestave në Novi Sad, u konsiderua si hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes BE-së dhe autoriteteve në Beograd. Eurodeputetët theksuan nevojën urgjente për të ndalur degradimin e mëtejshëm të demokracisë.
“Është e qartë se Bashkimi Evropian, ngadalë por me siguri, po ndryshon kursin ndaj Serbisë. Tani shihet qartë jo vetëm përmes këtij debati, por edhe përmes mesazheve nga Partia Popullore Evropiane për një debat të brendshëm mbi anëtarësimin e partisë së Vuçiqit. Situata në Serbi po bëhet më e ndërlikuar, dhe autoritetet po afrohen gjithnjë e më shumë pranë vijës së kuqe, pas së cilës as Komisioni Evropian nuk do të mund të heshtë,” tha Bojana Selakovi, koordinatore e Konventës Kombëtare për BE.
Përfaqësues të opozitës serbe pro-evropiane paralajmëruan se regjimi i Vuçiqit ka futur vendin në një krizë të thellë politike dhe kërkuan nga BE-ja mbështetje për qytetarët, njohjen e presidentit serb si autokrat dhe vendosjen e sanksioneve ndaj funksionarëve të lartë për dhunën policore. Radomir Lazoviq nga Fronti i Gjelbër dhe i Majtë tha:
“Serbia ndodhet në një krizë të madhe shoqërore dhe politike. Është me rëndësi që qytetarët të kenë mbështetjen e BE-së, e cila dënon qartë shkatërrimin e institucioneve dhe të shoqërisë.”
Një nga përfundimet kryesore të debatit ishte kërkesa që Parlamenti Evropian të dërgojë një mision vëzhgues në Serbi për të monitoruar situatën. Ekspertët theksuan se, megjithëse Serbia është vend kandidat për BE, ajo nuk plotëson kriteret e nevojshme dhe Bashkimi Evropian duhet të zgjedhë mes vazhdimit të politikës aktuale ose implementimit të mekanizmave më të ashpër ndaj autoriteteve në Beograd.
Ky debat nënvizon tensionet në rritje dhe sfidat serioze për perspektivën evropiane të Serbisë, duke rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare çështjen e sundimit të ligjit dhe të drejtave demokratike në vend.



