Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Eshref Tufa, një 67-vjeçar nga Elbasani, i cili prej disa vitesh jetonte me familjen në Reggio Emilia, u gjet i vdekur në shinat e trenit pranë Campegine, në rrugën Reggio-Sant’Ilario.
I moshuari, që vuante nga sëmundja e Alzheimerit, kishte humbur prej ditësh. Sipas hetimeve të para, ai në gjendje konfuzioni ka ndjekur pa vetëdije shinat hekurudhore, ku u godit fatalisht nga një tren mallrash. Vdekja ka qenë e menjëhershme. Policia hekurudhore mbërriti në vendngjarje, ndërsa autoritetet kanë përjashtuar pistën e vetëvrasjes, duke e cilësuar ngjarjen një aksident tragjik.
Humbja që nisi më 19 gusht
Zhdukja e Eshrefit ndodhi më 19 gusht, kur ai ndodhej me bashkëshorten në zonën e tregut në Piazza della Vittoria, Reggio. Pasi u largua papritur, vajza e tij, Marsida, e raportoi menjëherë në polici. Në rrjetet sociale u shpërndanë fotografitë e tij, ndërsa kamerat e sigurisë në Via Emilia e filmuan një ditë më vonë duke qëndruar para një lokali. Prej andej besohet se ai ndoqi rrugën e shinave, deri në vendin ku u godit nga treni.
Dhimbja e familjes
Lajmi i vdekjes së të moshuarit ka qenë shokues për familjen. Vajza e tij Marsida, e cila punon në një supermarket të zonës, sapo mori lajmin kaloi në gjendje shoku dhe përfundoi në urgjencën e spitalit Arcispedale Santa Maria Nuova.
“Shpresonim shumë ta gjenim”, tha me dhimbje Qazim Gosa, dhëndri i viktimës. “Kur na treguan për pamjen në Cadè, nxituam atje, por ai ishte zhdukur tashmë. E kërkuam përgjatë Via Emilia, por nuk e gjetëm. Fatkeqësisht askush nuk e njohu dhe as nuk kuptoi se ishte i sëmurë.”
Një jetë mes Shqipërisë dhe Italisë
Eshref Tufa kishte qenë kasap për shumë vite në Elbasan, derisa doli në pension. Disa vite më parë u bashkua me fëmijët e tij në Itali, ku jetonte nën kujdesin e vajzës dhe djalit. Familja kishte nisur procedurat për ta sistemuar në një strukturë të posaçme për pacientët me Alzheimer.
“Nuk ishte hera e parë që largohej,” rrëfen Gosa. “Një muaj më parë e gjetëm rastësisht në një Burger King pranë autostradës. Por këtë herë, fatkeqësisht, gjithçka mori fund ndryshe.”



