Nga Sabrina Morelli
Pak ditë më parë më 14 nëntor 2026, në Castiglion Fiorentino (Itali), në provincën e Arezzos, shkrimtarja, poetja, publicistja, përkthyesja, eseistja dhe promovuesja ndërkombëtare e kulturës Angela Kosta u bë protagoniste e një momenti të veçantë në kuadër të ceremonisë së Çmimit Ndërkombëtar “Oscar Wilde”, ku u nderua me dy vlerësime të rëndësishme: Gradën Akademike Honoris Causa në Shkencat Filozofike dhe Letrare si dhe titullin Ambasadorе e Kulturës.
Grada Akademike Honoris Causa iu akordua nga Instituti Evropian për Formimin dhe Orientimin, në bashkëpunim me Universitetin Princeton dhe South Kent College në Angli. Ky vlerësim përfaqëson një njohje të rëndësishme të kontributit të saj në fushën e letërsisë, përkthimit dhe promovimit kulturor, ndërsa titulli Ambasadorе e Kulturës vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe traditave të ndryshme.
Rrugëtimi i Angela Kostës është ndërtuar ndër vite përmes një veprimtarie të gjerë letrare dhe kulturore, që përfshin krijimtarinë poetike e publicistike, përkthimin, kritikën letrare, drejtimin e revistave ndërkombëtare dhe përgatitjen e antologjive. Përmes këtyre nismave, ajo ka krijuar hapësira bashkëpunimi për shkrimtarë, poetë dhe intelektualë nga vende të ndryshme, duke kontribuar në njohjen dhe përhapjen e letërsisë përtej kufijve gjuhësorë e kombëtarë.
Një vend të veçantë në punën e saj zë promovimi i autorëve ndërkombëtarë dhe krijimi i mundësive për të prezantuar vepra e zëra letrarë që meritojnë më shumë vëmendje. Me përkushtim të veçantë ndaj letërsisë së grave dhe shkëmbimit kulturor, Kosta e ka konsideruar gjithmonë fjalën e shkruar si një mjet të fuqishëm komunikimi, njohjeje dhe afrimi ndërmjet popujve.
Gjatë ceremonisë, e emocionuar nga dy vlerësimet, Angela Kosta shprehu mirënjohjen e saj, duke theksuar se ato përbëjnë njëkohësisht nder dhe përgjegjësi të re:
“Dy vlerësime që i pres me mirënjohje të thellë dhe me ndjenjë përgjegjësie, si një nxitje e mëtejshme për të vijuar angazhimin tim në promovimin dhe përhapjen e letërsisë dhe artit, duke ndërtuar ura kulturore ndërmjet vendeve, gjuhëve dhe popujve. Sepse prestigji i vërtetë i kulturës nuk qëndron vetëm te titujt dhe dekoratat, por te aftësia për të lënë gjurmë, për të krijuar mundësi dhe për të hapur rrugë të reja për këdo që beson në forcën universale të fjalës.”
Për të, këto vlerësime nuk përfaqësojnë një pikëmbërritje, por një motivim për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim, duke mbështetur krijuesit, nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve letrare e artistike.
Eventi u shndërrua gjithashtu në një rast të rëndësishëm takimi me personalitete të njohura të jetës kulturore dhe institucionale. Ndër të pranishmit dhe përfaqësuesit e përfshirë në këtë nismë ishin Prof. Luca Filipponi, President i Spoleto Art Festival, Dr. Umberto Giammaria, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve, Dr. Sabrina Morelli, Dr. Maria Concetta Borgese dhe Dr. Paola Biadetti, Drejtoreshë e Spoleto Meeting Art. Takimet dhe shkëmbimet e zhvilluara gjatë ceremonisë krijuan mundësi të reja për bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta në fushën e kulturës.
Çmimi Ndërkombëtar “Oscar Wilde” mbështetet nga institucione dhe organizata të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, ndër të cilat Parlamenti Evropian, Bashkimi Evropian, Shoqata Italiane e Kritikëve Letrarë, Fondacioni T.A.U., Spoleto Art Festival International dhe Fondacioni A.U.G.E. Ky bashkëpunim i jep veprimtarisë një dimension të gjerë ndërkombëtar, duke vënë në qendër vlerësimin e krijimtarisë dhe të ekselencës letrare e artistike.
Dy titujt e rinj i shtohen një liste të pasur çmimesh, dekoratash, pllakash, certifikatash dhe vlerësimesh që Angela Kosta ka marrë ndër vite në Itali dhe në vende të tjera. Veprimtaria e saj shtrihet në disa fusha të krijimtarisë dhe komunikimit kulturor, ndërsa përkthimi mbetet një nga mjetet kryesore përmes të cilave ajo ka kontribuar në afrimin e letërsive dhe kulturave të ndryshme.
Përvoja e saj dëshmon se letërsia nuk njeh kufij dhe se çdo gjuhë përfaqëson një botë më vete, me historinë, kujtesën dhe ndjeshmërinë e saj. Në këtë kuptim, përkthimi nuk është thjesht kalimi i një teksti nga një gjuhë në tjetrën, por një proces që krijon ura komunikimi dhe u jep mundësi veprave të takojnë lexues të rinj. Ky vizion ka udhëhequr një pjesë të rëndësishme të angazhimit të saj në promovimin e autorëve dhe në organizimin e nismave letrare ndërkombëtare.
Vlerësimi me Gradën Akademike Honoris Causa në Shkencat Filozofike dhe Letrare dhe titulli Ambasadorе e Kulturës shënojnë kështu një etapë të re në rrugëtimin e Angela Kostës, duke i dhënë një dimension tjetër përgjegjësisë së saj në jetën kulturore ndërkombëtare.
Nga Castiglion Fiorentino, ajo vijon rrugën e saj me të njëjtin përkushtim ndaj letërsisë, artit dhe promovimit të kulturës, e bindur se vlera e vërtetë e një veprimtarie kulturore matet jo vetëm me arritjet personale, por edhe me mundësitë që krijon për të tjerët. Sepse kultura merr kuptimin e saj më të plotë kur ndahet, kur bashkon njerëzit dhe kur bëhet një gjuhë e përbashkët mirëkuptimi ndërmjet popujve.



