Gjykata e Assizes në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, 24 vjeç, me origjinë italo-filipinase, për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, 22 vjeçe me origjinë shqiptare, studente e statistikës në Universitetin e Romës.
Sula, e lindur në rajonin e Umbrias, u vra në mars të vitit 2025. Mediat italiane shkruajnë se pas vrasjes, trupi i studentes u vendos brenda një valixheje dhe u hodh në një zonë shkëmbore në Capranica Prenestina. Pas disa ditësh kërkimesh, trupi i saj u gjet më 2 prill 2025, duke i dhënë fund kërkimeve për të renë, zhdukja e së cilës kishte alarmuar autoritetet dhe familjarët.
Vendimi i shkallës së parë përputhet me kërkesën e Prokurorisë së Romës, e cila kishte argumentuar se krimi ishte i paramenduar dhe ishte kryer në mënyrë të qëllimshme.
Sipas akuzës, Samson e kishte thirrur Ilarian për t’u takuar, ndërsa prokurorët pretenduan se takimi ishte organizuar si një pritë. Gjatë aktakuzës, ata deklaruan se e reja fillimisht ishte goditur me grushte dhe më pas me thikë.
Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm që më 19 maj, duke e cilësuar vrasjen si një akt të planifikuar dhe të ekzekutuar me gjakftohtësi. Përveç vrasjes, ndaj Samsonit u paraqitën edhe rrethana rënduese që lidhen me fshehjen e kufomës, motivet e krimit dhe marrëdhënien emocionale me viktimën.
Gjatë procesit, prokurorët e përshkruan ngjarjen si një krim veçanërisht të rëndë, ndërsa theksuan se, sipas tyre, i pandehuri nuk kishte treguar pendesë të vërtetë për atë që kishte ndodhur.
Mark Antony Samson e kishte pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa pas krimit, kishte ndërmarrë veprime për të fshehur trupin e 22-vjeçares. Në këtë fazë të çështjes, edhe nëna e tij u përfshi në hetimet lidhur me ndihmën e dyshuar për fshehjen e kufomës.



