Nga Gjergj DODAJ Bruksel
Studentë, pedagogë dhe qytetarë të shumtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar atë që tashmë e shprehin pa ekuivok: dorëheqjen e një qeverie tek e cila nuk kanë me besim. Nuk kërkojnë thjesht një takim, një tryezë bisedimesh apo disa premtime të reja. Ata kërkojnë përgjegjësi politike për një gjendje që, sipas tyre, nuk mund të vazhdojë më.
Dhe pikërisht këtu nis problemi: si mund të flasësh për dialog me njerëz të cilëve, prej katër muajsh, nuk u ke dëgjuar zërin, ua ke shpërfillur kërkesat dhe, për më tepër, i ke përballur me etiketime e përçmime?
Përgjegjësia për këtë krizë nuk mund t’u faturohet protestuesve, sikur ata të ishin shkaku i saj. Sepse ata nuk janë në pushtet. Një qeveri që e konsideron veten demokratike duhet ta dijë se protestat nuk janë as krim, as kërcënim ndaj demokracisë. Ato janë një e drejtë qytetare dhe, mbi të gjitha, një sinjal se diçka nuk shkon në marrëdhënien mes qeverisjes dhe qytetarëve.
Por, në vend që ta dëgjonte këtë sinjal, pushteti zgjodhi, për muaj me radhë, gjuhën e përçmimit. Protestuesit u etiketuan si kriminelë, njerëz pa tru, të pashkolluar e të manipuluar. Pra, në vend që të dëgjonte argumentet e tyre, qeveria u përpoq të zhvlerësonte vetë ata që i ngritën zërin.
Dhe tani, papritur, shfaqen karriget!
Karrige të vendosura aty ku njerëzit protestojnë. Një ftesë për dialog, sikur katër muaj shpërfilljeje, fyerjesh dhe përplasjesh të mund të fshihen me një tryezë e disa fjalë të bukura.
Por, a mund të ketë dialog të vërtetë aty ku mungon besimi? A mund të ulesh në të njëjtën tryezë me dikë që deri dje të përqeshte, të fyente dhe të trajtonte si armik, vetëm sepse nuk mendoje si ai?
Dialogu nuk është një ceremoni fotografish, as një skenë e improvizuar për të krijuar përshtypjen se pushteti po dëgjon. Dialogu kërkon respekt të ndërsjellë, njohjen e problemit dhe, mbi të gjitha, vullnetin për të pranuar përgjegjësinë. Pa këto, karriget mbeten thjesht karrige, ndërsa ftesa për dialog rrezikon të kthehet në një tjetër akt propagandistik.
Pastaj vijnë justifikimet e zakonshme: protestuesit qenkan kriminelë, të pashkolluar, njerëz pa tru, të manipuluar nga të tjerët!
Mirë atëherë, le ta shtrojmë pyetjen: nëse qeveria i konsideron të tillë, me kë kërkon të dialogojë? Me studentët që protestojnë? Me pedagogët që u bashkohen? Me qytetarët që nuk pranojnë më të heshtin? Apo vetëm me ata që duartrokasin pushtetin dhe i thonë gjithmonë «po»?
Një qeveri demokratike nuk mund të zgjedhë bashkëbiseduesit sipas shkallës së bindjes së tyre ndaj pushtetit. Përndryshe, dialogu shndërrohet në një monolog qeveritar, ku njëra palë flet dhe tjetra duhet vetëm të dëgjojë.
Dhe ka edhe diçka tjetër që nuk duhet harruar: asnjë etiketim nuk mund të justifikojë dhunën ndaj protestuesve. Nëse ka shkelje të ligjit, ato duhen trajtuar sipas ligjit, me prova dhe procedura të drejta. Por askush nuk mund ta përdorë fjalën «kriminel» si një etiketë kolektive për të delegjitimuar një protestë. Aq më pak mund të justifikohet përdorimi i forcës kundër qytetarëve që shprehin kundërshtimin e tyre.
Nëse qeveria dëshiron vërtet dialog, le të fillojë duke dëgjuar kërkesat e protestuesve, duke hequr dorë nga përçmimi dhe duke dhënë përgjigje konkrete për arsyet që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë. Por le të mos ngatërrojë dëshirën e saj për të hapur një tryezë me gatishmërinë e qytetarëve për t’u ulur në të.
Sepse ata që protestojnë kanë të drejtë të vendosin vetë nëse një dialog i tillë ka kuptim, nëse u përgjigjet kërkesave të tyre dhe nëse mund të çojë në ndryshime reale.
Në fund të fundit, çështja nuk është se ku janë vendosur karriget, por çfarë fshihet pas tyre. A është kjo një përpjekje e sinqertë për të dëgjuar qytetarët, apo një mënyrë për të fituar kohë, për të zbehur protestën dhe për t’i shpëtuar përgjegjësisë politike?
Sepse karriget mund të vendosen në mes të protestës, por besimi nuk mund të vendoset mbi to. Besimi ndërtohet me vepra, me respekt dhe me përgjegjësi. Dhe kur ai është shembur, nuk mjafton një ftesë për dialog për ta rindërtuar.
Studentët, pedagogët dhe qytetarët nuk kanë dalë në rrugë për të provuar karriget e qeverisë. Ata kanë dalë sepse besojnë se fjalët nuk mjaftojnë më dhe se përgjegjësia politike nuk mund të shmanget pafundësisht.
Prandaj, pyetja mbetet: karriget janë vërtet një ftesë për dialog, apo thjesht një tjetër tallje me ata që kërkojnë të dëgjohen?
Sepse një qeveri që dëshiron të dëgjohet nga qytetarët, duhet të mësojë më parë t’i dëgjojë ata. Dhe një qeveri që nuk arrin ta kuptojë këtë të vërtetë, rrezikon të zbulojë tepër vonë se karriget e pushtetit nuk janë të përjetshme.
Sepse karriget mund t’i vendosësh në mes të sheshit, por nuk mund t’i ulësh me zor njerëzit që kanë humbur besimin te ti. Mund t’i ftosh në dialog, por nuk mund t’u kërkosh të harrojnë katër muaj shpërfilljeje, përçmimi e fyerjesh. Mund t’u ofrosh një tryezë, por nuk mund t’u imponosh heshtjen në këmbim të disa fjalëve boshe.
Studentët nuk kanë dalë në rrugë për të ndërruar karriget, por për të vënë para përgjegjësisë ata që i kanë zënë.
Dhe nëse qeveria ende nuk e kupton se çfarë kërkojnë protestuesit, atëherë problemi nuk është se këta të fundit nuk dinë të flasin, por se pushteti ka mësuar të dëgjojë vetëm duartrokitjet e veta.
Le të mos mashtrohet askush: një ftesë për dialog nuk e shlyen përgjegjësinë politike, as nuk e zëvendëson atë. Kur qytetarët kërkojnë dorëheqjen, karriget nuk janë përgjigje. Përgjigjja është përballja me të vërtetën, pranimi i përgjegjësisë dhe respektimi i vullnetit të lirë të qytetarëve.
Sepse pushteti mund t’i ketë sot karriget, zyrat dhe mikrofonat, por nuk e ka pronë Shqipërinë. Shqipëria u përket qytetarëve të saj, m*esaktë, shqiptarëve!
Dhe kur qytetarët ngrihen për të kërkuar llogari, asnjë rresht karrigesh nuk mund ta zërë vendin e përgjegjësisë. Asnjë tryezë nuk mund ta fshehë krizën. Asnjë propagandë nuk mund ta kthejë humbjen e besimit në besim.
Në fund, nuk janë protestuesit që duhet të dëshmojnë pse nuk i besojnë qeverisë. Është qeveria ajo që duhet të japë llogari pse qytetarët nuk i besojnë më. Dhe nëse nuk ka më përgjigje për këtë pyetje, atëherë asnjë karrige nuk mund ta shpëtojë nga gjykimi i qytetarëve dhe i historisë.



