Restaurimi i shtëpisë së Faik Konicës në Greqi, rikthimi në Shqipëri i dy objekteve arkeologjike nga Butrinti dhe mbështetja për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam ishin ndër çështjet e diskutuara nga ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, gjatë takimit në Prespë, ku mori pjesë edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga.
Sipas njoftimit të ministrit Gonxhja, autoritetet greke kanë konfirmuar sigurimin e fondeve për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë të Greqisë, pasi objekti është njohur për vlerat e tij historike dhe kulturore. Punimet pritet të nisin së shpejti.
Një tjetër çështje e ngritur në bisedimet dypalëshe ishte rikthimi në Shqipëri i dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002. Palët diskutuan avancimin e procesit të kthimit të tyre, si dhe forcimin e bashkëpunimit kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.
Gonxhja bëri të ditur gjithashtu se është diskutuar mundësia e mbështetjes greke për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe të pikturave të saj murale.
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, u shqyrtua edhe zgjerimi i Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022, me përfshirjen e kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimit të ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe trajnimit profesional të restauratorëve në Selanik.
Në fushën e kulturës, palët diskutuan gjithashtu mundësitë për shkëmbime artistike dhe bashkëpunim mes institucioneve kulturore, përfshirë teatrot dhe operat kombëtare të Shqipërisë dhe Greqisë.
Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.