Boksieri shqiptaro-amerikan nga Staten Island, Arjan Iseni, zyrtarisht është pjesë Sullivan Management, kompanisë së menaxhimit të talenteve në boks, e drejtuar nga ish-zëvendëskomisioneri i Komisionit Atletik të Shtetit të Nju Jorkut, Keith Sullivan.
23-vjeçari bokson në kategorinë light heavyweight dhe ka një rekord prej 6 fitoresh në 6 ndeshje, pesë prej të cilave me nokaut.
Iseni, i cili e ka nisur karrierën si një nga emrat më të spikatur të boksit amator në SHBA, është shpallur 5 herë kampion kombëtar amerikan. Në vitin 2021 ai fitoi titullin në kampionatin kombëtar të USA Boxing. Në total, në boksin amator regjistroi 85 fitore dhe 25 humbje.
Me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Iseni pati mundësinë të përfaqësonte ekipin maqedonas në kompeticione ndërkombëtare. Ai garoi në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bullgari, Serbi, Mal të Zi, Poloni, Uzbekistan dhe Ekuador, duke u përballur me boksierë të stileve të ndryshme.
“Prindërit e mi janë shqiptarë, por shtetas të Maqedonisë. Munda të luftoja për ekipin maqedonas të boksit. Doja të garoja ndërkombëtarisht dhe të përballesha me më të mirët e çdo vendi”, është shprehur Iseni.
Iseni është stërvitur gjithashtu me boksierë të njohur profesionistë, mes tyre Edgar “The Chosen One” Berlanga, ish-sfidant për titullin botëror në super middleweight, dhe britanikun e pamposhtur të cruiserweight, Viddal Riley.
Trajneri i tij, Arleano Sosa, e cilësoi Isenin një ish-boksier elitar të moshave amatore dhe tha se kontrata e re krijon kushtet për të synuar nivelin më të lartë të boksit profesionist.
“Arjan ka një të ardhme të ndritur përpara. Keith është një menaxher i përkushtuar për t’i ndihmuar boksierët e tij të arrijnë nivelin elitar. Së bashku po punojnë drejt objektivit përfundimtar: një titull botëror”, tha Sosa.
Vetë Iseni deklaroi se synimi i tij është i qartë: të bëhet kampion bote dhe të marrë pjesë në ndeshje të mëdha.
“Boksi është ajo që dua të bëj dhe Keith do të më ndihmojë të jem në nivelin tim më të mirë. Ai do të kujdeset për logjistikën dhe negociatat dhe do të më ndihmojë të arrij në majë. Dua të bëhem kampion bote dhe të luftoj në ndeshje të mëdha”, u shpreh ai.
Debutimi i Isenit nën menaxhimin e Sullivan Management do të jetë më 14 nëntor 2026, në eventin “Brick City Fight Night”, organizuar nga Rising Star Promotions në Newark, New Jersey. Ai do të zhvillojë një ndeshje me 6 raunde ndaj amerikanit Everton Still, i cili ka një rekord prej 5 fitoresh, 2 humbjesh dhe 1 barazimi.
Sullivan Management menaxhon gjithashtu boksierin shqiptar Kristian Prenga, i cili ka një rekord prej 21 fitoresh dhe 2 humbjesh, me 21 fitore me nokaut.




