Nga Beqir SINA
Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ka tërhequr më shumë se 250 mijë viza që nga fillimi i mandatit të presidentit Donald Trump, në kuadër të një fushate të gjerë për formimin e kontrollit të imigracionit dhe rritjen e verifikimeve për personat që lejohen të hyjnë në vend.
Kjo shifër shënon një nivel historik dhe pasqyron qasjen agresive të administratës ndaj atyre që shkelin kushtet e qëndrimit ose përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, vizat janë tërhequr për arsye të ndryshme, si shkelje të kushteve të vizës, kryerje të veprave penale, thirrje për dhunë ndaj SHBA-së ose amerikanëve, mashtrime ndaj qytetarëve amerikanë, abuzim me sistemin e imigracionit dhe kërcënime ndaj sigurisë kombëtare.
Ndër to përfshihen edhe 2.300 viza të lidhura me “turizmin e lindjes”, praktika kur shtetas të huaj shtatzënë udhëtojnë në SHBA posaçërisht për të lindur fëmijën dhe për t’i siguruar atij shtetësi automatike.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, theksoi se ky është një arritje e rëndësishme : “Nën presidentin Trump dhe sekretarin Rubio, Departamenti i Shtetit ka tërhequr tashmë më shumë se 250 mijë viza, një nivel historik që reflekton angazhimin tonë të palëkundur për mbrojtjen e popullit amerikan. Çdo vendim për vizë është një vendim për sigurinë kombëtare. Përmes verifikimeve të vazhdueshme në një shkallë të paparë, ne po identifikojmë dhe largojmë ata që kryejnë krime, mbështesin terrorizmin, mashtrojnë amerikanët ose abuzojnë me sistemin tonë të imigracionit. Një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë – dhe nëse e shkelni këtë privilegj, do ta humbni. Nuk do të ndalemi derisa çdo i huaj që kërcënon sigurinë e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës.”
Fushata nuk është e kufizuar vetëm te shkeljet individuale. Të hënën, Departamenti i Shtetit tërhoqi vizat e 27 zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre nga Bolivia, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja, për akuza korrupsioni.
Më herët gjatë verës, administrata filloi përgatitjet për të tërhequr deri në 200 mijë viza biznesi dhe turistike (B1 dhe B2) të lëshuara mes viteve 2016 dhe 2026 për persona që më pas kërkuan azil.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, deklaroi se amerikanët janë “të mërzitur” nga “kërkesat e rreme për azil”, duke theksuar se azili duhet të jetë një strehë e ngushtë për të përndjekurit politik , racizmit apo përkatësisë fetare, dhe jo një rrugë anësore për të anashkaluar ligjet e imigracionit.
Në muajin gusht, Departamenti kishte tërhequr tashmë mbi 175 mijë viza. Shumica e tyre ishin për shkak të kontaktit me organet e zbatimit të ligjit për veprimtari penale, ku dominonin sulmet, shkelje të ligjeve, vjedhjet dhe krimet e prostitucionit, drogës dhe trafiqet ilegale.
Një pjesë e rëndësishme e masave përfshinte edhe , sulmet seksuale, abuzimin e fëmijëve, mashtrimet dhe përvetësimet.
Kjo politikë e ashpër pasqyron prioritetin e administratës Trump për të forcuar kontrollin kufitar dhe për të siguruar që vizat jepen vetëm atyre që respektojnë ligjet dhe vlerat amerikane.
Ambasada amerikane në Tiranë ka konfirmuar se e njëjta qasje vlen edhe për shtetasit shqiptarë.
Vizat do të anulohen vetëm për raste kur ka rrezik për sigurinë publike, krime ose shkelje të kushteve. Kurse për personat që nuk jan në problemet e lart cituara dhënja e vizës do të vazhdojë.
Departamenti thotë se nuk ka publikuar shifra specifike për shqiptarët, në SHBA, lidhur me vizat e anuluara duke theksuar konfidencialitetin, por tha se po zbaton politikë e zero-tolerancës pa dallim kombësie.