Agron Dedivanaj, drejtor i shkollës shqipe në Michigan, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth qëndrimeve të tij ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe pritjes së tij nga komuniteti shqiptar në Michigan.
Në një postim të gjatë, Dedivanaj thotë se deklaratat e tij janë manipuluar dhe kundërshton veçanërisht përfshirjen e fëmijëve në debatin politik.
“Fjalimi im kishte ma shumë kërkesa ndaj Edi Ramës sesa ju kishit argumente kundër tij. Ju nuk e kundërshtuat fjalimin tim. Ju e falsifikuat atë. Dhe kur nuk ju mjaftoi manipulimi, sulmuat fëmijët”, shkruan ai.
Duke iu referuar cilësimit të fëmijëve si “pionierë të Enverit”, Dedivanaj thotë se kjo nuk përbën kritikë politike.
“Me i quejtë fëmijët tanë ‘pionierë të Enverit’ nuk është kritikë. Është rënie morale”, shprehet ai.
Dedivanaj ndalet edhe te qëndrimi ndaj institucioneve shqiptare, duke bërë dallimin mes respektit për shtetin dhe mbështetjes politike për një qeveri.
“Respekti për shtetin nuk është servilizëm. Mikpritja nuk është votë. Përshëndetja nuk është nënshtrim”, shkruan ai.
Në vijim, ai u drejtohet kundërshtarëve të Edi Ramës, duke u kërkuar që përballjen politike ta zhvillojnë përmes argumenteve dhe votës.
“Kthehuni në Shqipëri. Organizohuni. Ndërtoni alternativë. Krijoni një opozitë të fortë dhe me vizion perëndimor. Bindeni popullin. Mundeni Ramën me votë. Kjo është demokraci”, shkruan Dedivanaj.
Një pjesë të reagimit ia kushton edhe diasporës, duke kundërshtuar përdorimin e komunitetit shqiptar në përplasjet politike.
“Mos e ktheni diasporën në fushëbetejë të dështimeve tuaja. Diaspora e bashkueme është një fortesë. Diaspora e përçame është dhuratë për çdo armik të shqiptarëve”, shkruan ai.
Dedivanaj përmend gjithashtu protestat e komunitetit shqiptar kundër Richard Grenellit, duke pyetur se përse, sipas tij, nuk pati të njëjtin reagim në atë rast.
“Ku ishit kur protestonim kundër Grenellit? Ku ishte atëherë kjo stuhi patriotizmi? Apo guximi juaj ndizet vetëm kur përballë keni Kryeministrin e Shqipërisë?”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, Dedivanaj thekson se qëndrimet ndaj qeverive dhe partive politike nuk duhet të ndikojnë, sipas tij, në respektin ndaj shtetit shqiptar.
“Qeveritë ndërrohen. Kryeministrat largohen. Partitë ngrihen dhe bien. Por Shqipëria mbetet”, shkruan ai.
Reagimin e tij e përmbyll me këtë qëndrim: “Luftojeni Ramën sa të doni — me argumente, me alternativë dhe me votë. Por mos kërkoni prej nesh me poshtërue shtetin shqiptar. Sepse partitë janë të përkohshme. Shqipëria është e përjetshme.”



