Nga Julia Vrapi
Trashëgimia ikonografike shqiptare u bë pjesë e një veprimtarie kulturore dhe shkencore në Muzeun e Luvrit në Paris, në kuadër të ekspozitës “Ikonat e Shqipërisë, thesare të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, që aktualisht prezantohet në Muzeun e Arteve të Bukura të Chambéry-së. Konferenca solli në vëmendje historinë e pikturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kulturore dhe specialistëve shqiptarë e francezë. Nën titullin “Kur diplomacia ndërkombëtare frymëzon kërkimin shkencor”, Nicolas Bousquet, drejtor i muzeve të Chambéry-së, foli për zanafillën e kësaj ekspozite, si dhe për bashkëpunimin e zhvilluar me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës.
Zhvillimi i kësaj konference bëhet me dije nga MKAM në Korçë, që gjithashtu shprehet se Maximilien Durand, drejtor i Departamentit të Arteve të Bizantit dhe të Krishterimeve të Lindjes në Muzeun e Luvrit, solli në vëmendje pasurinë e trashëgimisë ikonografike shqiptare dhe rëndësinë e kërkimit të përbashkët shkencor. “Maximilien Durand, specialist i shquar dhe drejtor i Departamentit të Arteve të Bizantit dhe të Krishtërimeve të Lindjes në Muzeun e Luvrit, i prezantoi publikut një rrugëtim të jashtëzakonshëm në historinë e pikturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri, në pasurinë artistike të veprave të paraqitura, si dhe në perspektivat e reja shkencore që ka hapur studimi i tyre në bashkëpunim me specialistët shqiptarë”, thuhet nga MKAM.
I pranishëm në këtë takim, Ambasadori i Shqipërisë, Dritan Tola, foli për rëndësinë e prezantimit dhe promovimit të trashëgimisë shqiptare në Muzeun e Luvrit, si dhe përshëndeti dy konferencierët. “Kur diplomacia krijon ura ndërmjet institucioneve dhe popujve, ajo bëhet gjithaq burim frymëzimi për kërkimin shkencor, dijen dhe rizbulimin e trashëgimisë sonë të përbashkët evropiane”, tha ai. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës shprehet se bashkëpunimi kulturor dhe shkencor me Shamberinë dhe Muzeun e Luvrit po i jep trashëgimisë ikonografike shqiptare një hapësirë më të gjerë ndërkombëtare.
“Kjo është një provë e gjallë e asaj që mund të sjellë bashkëpunimi ndërmjet Korçës, Shamberisë dhe Muzeut të Luvrit: t’i bëjë veprat të udhëtojnë, t’i bëjë ato më të njohura, por edhe të sjellë një vështrim të ri mbi historinë dhe vendin e tyre në trashëgiminë kulturore evropiane”, thuhet nga MKAM. Në përmbyllje, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës vlerëson bashkëpunimin me Maximilien Durand, Nicolas Bousquet dhe Françoise Mardrus, si dhe kontributin e tyre në promovimin dhe studimin e trashëgimisë shqiptare.
Ekspozita në Chambéry
Në kuadër të ekspozitës “Ikonat e Shqipërisë -Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar” më herët u publikua dhe katalogu, i cili u përgatit nga studiues francezë dhe shqiptarë. Katalogu shoqëron ekspozitën përmes 49 veprave, rrëfen historinë e artit ikonografik shqiptar nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX. Përkrah mjeshtërve anonimë, prezantohen vepra të autorëve të rëndësishëm si Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Kostandin dhe Athanas Zografi, Vangjel Zengo dhe artistë të tjerë. Ekspozita me ikonat shqiptare në Musée des Beaux-Arts, në Chambéry, Francë, siç është bërë me dije më parë nga institucioni vijon deri në deri në 15 nëntor. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar u hap më 26 prill 1980 në Korçë, me një fond fillestar prej rreth 6.000 ikonash të mbledhura nga e gjithë Shqipëria. Sot, muzeu administron 8.265 objekte, nga të cilat 6.400 janë ikona.



