Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krime lufte. Sipas trupit gjykues, Prokuroria e Specializuar ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale të Thaçit për akuzat e ngritura ndaj tij.
Thaçi, i cili gjatë luftës së Kosovës ishte një nga drejtuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka mohuar të gjitha akuzat. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në prill të vitit 2023, ndërsa aktakuza përfshinte gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Prokuroria kishte kërkuar dënim deri në 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pafajësi. Vendimi i shkallës së parë mund të ankimohet.
Gjatë luftës, Thaçi u bë i njohur si përfaqësues politik i UÇK-së dhe ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.
Pas përfundimit të luftës, ai ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e drejtoi për shumë vite. Thaçi mbajti disa nga postet më të larta shtetërore të Kosovës.
Në vitin 2008, ai u zgjodh kryeministër, në periudhën kur Kosova shpalli pavarësinë, më 17 shkurt. Thaçi qëndroi në krye të Qeverisë deri në vitin 2014, ndërsa më pas shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Në vitin 2016, Thaçi u zgjodh president i Kosovës. Ai e mbajti këtë detyrë deri më 5 nëntor 2020, kur dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pas dorëheqjes, Thaçi u transferua në Hagë, ku qëndroi në paraburgim gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.



