Nga Yllka Lezo
Programi “Diaspora4Innovation”, realizuar nga Germin, tregoi se bashkëpunimi nuk matet vetëm me përvojën e shkëmbimit akademik apo me njohuritë që profesionistët e diasporës përcjellin te studentët shqiptarë, por edhe me mundësitë që krijohen pasi një projekt përfundon.
Në rastin e bashkëpunimit mes akademikes shqiptare në Universitetin e Salentos ASSOC. PROF. DR. Valentina Ndou dhe Prof. Blerta Dragusha, Universitetit të Shkodrës, nisma shërbeu si pikënisje për bashkëpunime kërkimore dhe përgatitjen e një propozimi të përbashkët për programin europian Erasmus+ Capacity Building.
Përmes këtij shembulli programi Diaspora4Innovation tregoi se lidhjet mes akademikëve të diasporës dhe universiteteve shqiptare mund të shkojnë përtej një leksioni apo një aktiviteti të kufizuar në kohë, duke krijuar premisa për projekte të reja, shkëmbim përvojash dhe forcim të kapaciteteve universitare afagjata në kohë.
Në këtë intervistë për Gazeta Diaspora Shqiptare, Valentina Ndou rrëfen si nisi angazhimi i saj në Diaspora4Innovation, ndryshimet që solli në mësimdhënie përmes lidhjes së studentëve me sfidat reale të sektorit financiar dhe mënyrën se si ky bashkëpunim hapi rrugën drejt projekteve të reja europiane. Ajo ndalet gjithashtu te roli i diasporës akademike në zhvillimin e universiteteve shqiptare dhe rëndësia e krijimit të lidhjeve që vazhdojnë të prodhojnë rezultate edhe përtej afatit të një projekti.
*Përmes një cikli intervistash, Gazeta Diaspora Shqiptare do të sjell profilet e akademikëve shqiptarë të përfshirë në programin Diaspora4Innovation, duke u ndalur te rrugëtimet e tyre profesionale, përvojat ndërkombëtare dhe kontributi që mund të japin në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.
Ju jeni pjesë e diasporës akademike dhe prej vitesh punoni në fushën e inovacionit, sipërmarrjes dhe transformimit digjital. Çfarë ju shtyu të bëheni pjesë e Diaspora4Innovation dhe të bashkëpunoni pikërisht me Universitetin e Shkodrës?
Si shumë profesionistë dhe akademikë, përdor shumë LinkedIn për të ndjekur iniciativa, projekte dhe mundësi bashkëpunimi. Pikërisht aty hasa rastësisht iniciativën e GERMIN dhe projektin Diaspora4Innovation. E lexova me vëmendje, u informova më shumë rreth objektivave të projektit dhe mendova se ishte një mundësi konkrete për të dhënë kontributin tim.
Bashkëpunimi me komunitetin akademik shqiptar ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm për mua. Edhe pse prej shumë vitesh jetoj dhe punoj në Itali, e konsideroj thuajse një mision personal dhe profesional krijimin e urave mes universiteteve shqiptare dhe atyre europiane, transferimin e eksperiencave dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe kolegët.
Zgjedhja e Shkodrës nuk ishte rastësore. Shpesh vëmendja, projektet dhe mundësitë përqendrohen në Tiranë, ndërkohë që unë besoj se është shumë e rëndësishme të krijohen mundësi edhe për universitetet e qyteteve të tjera. Shkodra është qyteti im dhe Universiteti i Shkodrës është universiteti ku jam diplomuar dhe ku kam marrë formimin tim të parë akademik. Për mua kishte një domethënie të veçantë të kthehesha, në një formë tjetër, për t’i dhënë diçka institucionit që më kishte dhënë bazën e rrugëtimit tim profesional.
Një tjetër arsye shumë e rëndësishme ishte bashkëpunimi me Prof. Blerta Dragusha. Me Blertën ndaj jo vetëm interesa akademike, por edhe një pjesë të rrugëtimit tim personal dhe profesional, pasi kemi studiuar së bashku dhe kemi ruajtur kontaktet ndër vite. Kjo e bëri bashkëpunimin shumë natyral, të bazuar në besim, në një vizion të përbashkët dhe në dëshirën për të krijuar diçka konkrete për studentët.
Bashkë me Prof. Dr. Blerta Dragusha keni rikonceptuar lëndën e Financës së Korporatave, duke futur sipërmarrjen, inovacionin, design thinking dhe inteligjencën artificiale. Çfarë mungonte në mënyrën tradicionale të mësimdhënies dhe çfarë synuat të ndryshonit?
Nuk do të thosha se mënyrës tradicionale të mësimdhënies i mungon domosdoshmërisht diçka në aspektin e njohurive teorike. Problemi është se sot vetëm njohuria teorike nuk është më e mjaftueshme.
Tregu i punës po ndryshon shumë shpejt, veçanërisht në sektorin financiar. Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, modelet e reja të biznesit, fintech dhe automatizimi po ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë bankat dhe kompanitë.
Prandaj synimi ynë ishte që studentët të mos mësonin vetëm financën, por të kuptonin se si njohuritë financiare mund të përdoren për të krijuar inovacion dhe vlerë.
Për këtë arsye integruam tema si sipërmarrja, kompetencat sipërmarrëse, Business Model Canvas, design thinking, innovation management dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në financë.
Por ndryshimi më i rëndësishëm ishte metodologjik. Donim që studenti të kalonte nga një rol kryesisht pasiv, në të cilin dëgjon dhe riprodhon njohuri, në një rol aktiv: identifikon një problem, punon në grup, dialogon me kompanitë, krijon një zgjidhje, e strukturon dhe në fund duhet ta prezantojë dhe ta mbrojë përpara ekspertëve.
Pra, synuam të ndryshonim jo vetëm çfarë mësojnë studentët, por edhe si mësojnë.
Një nga elementet e projektit ishte Open Innovation Challenge, ku studentët punuan drejtpërdrejt me banka dhe profesionistë të industrisë. Çfarë solli kjo qasje në raport me një kurs tradicional universitar?
Open Innovation Challenge ishte ndoshta një nga elementet më të rëndësishme të gjithë eksperiencës, sepse krijoi një urë konkrete mes universitetit dhe botës reale.
Në një kurs tradicional, profesorët u shpjegojnë studentëve probleme, modele dhe zgjidhje që ekzistojnë. Në këtë rast, studentët u përballën drejtpërdrejt me probleme dhe sfida reale të sektorit financiar.
Ata punuan mbi tema si transformimi digjital, eficienca operative e bankave, marrëdhënia me klientët, përfshirja financiare, përdorimi i inteligjencës artificiale, fraud detection, alternative credit scoring, edukimi financiar, compliance, remitancat dhe menaxhimi financiar i SME-ve.
Fakti që bankat dhe profesionistët e industrisë u përfshinë në proces ndryshoi shumë edhe perceptimin e studentëve. Nuk ishte më thjesht një detyrë për të marrë një notë. Ata e dinin që në fund do ta prezantonin idenë e tyre përpara njerëzve që punojnë çdo ditë me këto probleme.
Kjo krijon një tjetër nivel përgjegjësie, motivimi dhe angazhimi.
Në të njëjtën kohë, studentët fillojnë të kuptojnë se problemi real është pothuajse gjithmonë multidisiplinar. Për të krijuar një zgjidhje financiare të mirë duhet të kuptosh teknologjinë, klientin, modelin e biznesit, kostot, riskun dhe impaktin.
Nga puna me studentët, cilat ishin idetë apo zgjidhjet që ju bënë më shumë përshtypje dhe çfarë ju treguan ato apo arritët të kuptoni ju për potencialin e të rinjve shqiptarë?
Më bëri përshtypje mbi të gjitha aftësia e studentëve për të identifikuar probleme shumë konkrete të realitetit të tyre dhe për t’i transformuar ato në ide biznesi apo zgjidhje teknologjike.
11 grupet që morën pjesë në projekt zhvilluan propozime të ndryshme lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin financiar. Kishte ide për përmirësimin e eficiencës operative në banka, chatbot për shërbimin ndaj klientëve, por edhe zgjidhje që synonin përfshirjen financiare të kategorive më vulnerabël, si personat e moshuar, personat me aftësi të kufizuara apo grupe që kanë më pak akses në shërbimet financiare.
Pikërisht këto ide më impresionuan shumë, sepse tregonin se studentët nuk e shihnin teknologjinë vetëm si një instrument për të ulur kostot apo për të automatizuar procese, por edhe si një mjet që mund të krijojë një impakt social.
Kjo eksperiencë më konfirmoi diçka që e kam menduar gjithmonë: të rinjtë shqiptarë kanë shumë potencial. Janë kreativë, përshtaten shpejt dhe janë shumë të hapur ndaj teknologjive të reja.
Ajo që shpesh mungon nuk është talenti, por ekosistemi: mundësitë, mentorimi, kontaktet me kompanitë, ekspozimi ndërkombëtar dhe hapësirat ku ata mund të eksperimentojnë.
Kur ua krijon këto kushte, rezultatet mund të jenë shumë interesante.
Ju punoni prej vitesh me inovacionin, transformimin digjital dhe modelet e reja të biznesit. Sa e rëndësishme është që këto fusha të mos mbeten vetëm në kërkimin akademik, por të përkthehen në aftësi konkrete për studentët?
Është thelbësore.
Universiteti nuk mund të kufizohet vetëm në prodhimin dhe transmetimin e njohurive. Duhet të jetë në gjendje t’i transformojë këto njohuri në kompetenca.
Mund të publikojmë shumë studime mbi inteligjencën artificiale, transformimin digjital apo sipërmarrjen, por nëse studenti del nga universiteti pa ditur si ta përdorë këtë njohuri për të zgjidhur një problem konkret, kemi humbur një pjesë të rëndësishme të misionit tonë.
Për mua kompetenca krijohet në ndërthurjen mes dijes, aplikimit dhe eksperiencës.
Studenti duhet të kuptojë një koncept, por më pas duhet të jetë në gjendje ta përdorë atë: të punojë në grup, të analizojë probleme komplekse, të përdorë teknologjitë, të ndërtojë një model biznesi, të prezantojë një ide, të diskutojë me një kompani dhe të marrë vendime në kushte pasigurie.
Pikërisht këto janë aftësitë që do t’i duhen në të ardhmen.
Ky bashkëpunim në programin Diaspora4Inovation nuk u ndal te mësimdhënia, por çoi edhe në bashkëpunim kërkimor dhe në përgatitjen e një propozimi të përbashkët Erasmus+. Sa e rëndësishme është që lidhjet mes akademikëve në diasporë dhe universiteteve shqiptare të vazhdojnë edhe pas përfundimit të një projekti?
Për mua kjo është ndoshta pika më e rëndësishme.
Një projekt ka një fillim dhe një fund. Një bashkëpunim akademik i mirë, nëse funksionon, duhet të vazhdojë përtej projektit.
Në rastin tonë, eksperienca filloi nga mësimdhënia, por shumë shpejt krijoi edhe bashkëpunime kërkimore dhe ide për projekte të reja. Kemi punuar së bashku edhe në përgatitjen e një propozimi Erasmus+ Capacity Building me një konsorcium ndërkombëtar, me synimin për të forcuar kapacitetet e kërkimit, inovacionit dhe transferimit të njohurive në universitetet e Ballkanit Perëndimor.
Ky është modeli që mendoj se duhet të ndjekim.
Diaspora nuk duhet të ftohet vetëm për të mbajtur një leksion apo një seminar. Vlera reale krijohet kur ndërtohen marrëdhënie afatgjata: projekte të përbashkëta, publikime, mobilitete, co-supervision të studentëve, programe të përbashkëta, rrjete ndërkombëtare dhe mundësi për të rinjtë.
Në këtë mënyrë krijohet kapacitet institucional dhe jo vetëm një aktivitet individual.
Nga eksperienca juaj, çfarë duhet të ndryshojë në mënyrën se si universitetet shqiptare bashkëpunojnë me sektorin privat dhe industrinë?
Mendoj se duhet të kalojmë nga bashkëpunimet episodike në bashkëpunime strukturore.
Shpesh universiteti fton një kompani për një seminar, një konferencë apo një aktivitet. Është pozitive, por nuk është e mjaftueshme.
Kompanitë duhet të përfshihen më shumë në vetë procesin arsimor: në identifikimin e kompetencave që kërkon tregu, në definimin e challenge-ve për studentët, në mentorim, internship, laboratorë, projekte kërkimore të aplikuara dhe zhvillimin e tezave.
Në të njëjtën kohë, universitetet nuk duhet ta shohin industrinë vetëm si një burim financimi. Universiteti ka shumë për t’i ofruar industrisë: kërkim, talente, analiza, teknologji dhe kapacitet për të eksperimentuar.
Duhet të krijohet një marrëdhënie e bazuar në bashkë-krijim të vlerës
Përtej këtij projekti, çfarë mendoni se mund të sjellë diaspora akademike në universitetet shqiptare që është më e vështirë të realizohet vetëm brenda sistemit akademik vendas?
Diaspora mund të sjellë disa elemente shumë të rëndësishme.
Së pari, eksperiencën e sistemeve të tjera akademike dhe mundësinë për të transferuar praktika që funksionojnë në universitete të ndryshme.
Së dyti, rrjetet ndërkombëtare. Një akademik që punon jashtë Shqipërisë ka kontakte me universitete, qendra kërkimore, kompani dhe institucione të ndryshme. Këto rrjete mund të hapin dyer për projekte, mobilitete, publikime dhe bashkëpunime që ndoshta do të ishin më të vështira për t’u krijuar nga zero.
Por mendoj se diaspora mund të sjellë edhe një perspektivë hibride shumë interesante. Ne njohim realitetin shqiptar, por në të njëjtën kohë e shohim atë edhe nga jashtë. Kjo na lejon të kuptojmë më mirë si problemet, ashtu edhe potencialin.
Megjithatë, nuk mendoj se diaspora duhet të vijë për t’i treguar sistemit shqiptar “si bëhen gjërat”. Duhet të vijë për të bashkëpunuar, për të dëgjuar dhe për të bashkë-krijuar zgjidhje me njerëzit që punojnë çdo ditë brenda sistemit.
Një pyetje më personale: çfarë ju lidh sot me Shqipërinë dhe çfarë ju bën të mendoni se ia vlen të investoni kohë dhe ekspertizë në zhvillimin e akademisë dhe të të rinjve këtu?
Shqipëria është pjesë e identitetit tim dhe Shkodra në veçanti është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sime personale.
Aty jam rritur, aty kam studiuar dhe aty kam marrë bazat që më kanë mundësuar të ndërtoj më pas rrugëtimin tim akademik dhe profesional jashtë vendit.
Prandaj, për mua kthimi i eksperiencës dhe i njohurive që kam fituar ndër vite është një proces shumë natyral.
Më motivon veçanërisht puna me të rinjtë. Kur sheh një student që në fillim është i pasigurt dhe pastaj, pas disa muajsh, arrin të ndërtojë një projekt, të prezantojë një ide, të diskutojë me një bankë apo të imagjinojë një startup, kupton se investimi në edukim ka një efekt që shkon shumë përtej një kursi.
Në fund, zhvillimi i një vendi varet shumë nga mundësitë që krijojmë për brezin e ri. Nëse ne që kemi pasur mundësinë të krijojmë eksperienca dhe rrjete ndërkombëtare mund të ndihmojmë sadopak në krijimin e këtyre mundësive, mendoj se ia vlen absolutisht.
Ju e keni ndërtuar karrierën akademike në Itali. Si ka qenë rrugëtimi juaj si emigrante drejt integrimit në botën akademike italiane dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në këtë proces?
Ka qenë një rrugëtim i gjatë, i ndërtuar hap pas hapi.
Kur hyn në një sistem të ri akademik duhet të kuptosh jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën institucionale, mënyrën e punës, kriteret e vlerësimit, rrjetet profesionale dhe dinamikat e një sistemi shumë konkurrues.
Në fillim duhet të provosh shumë. Duhet të fitosh besueshmëri, të krijosh rrjetin tënd profesional dhe të tregosh vazhdimisht vlerën e punës tënde.
Në akademi rezultatet nuk ndërtohen shpejt. Kërkojnë vite kërkimi, publikimesh, mësimdhënieje, projektesh dhe marrëdhëniesh ndërkombëtare.
Natyrisht, si emigrante ka edhe një sfidë shtesë: nuk ke domosdoshmërisht që në fillim të njëjtin kapital social dhe të njëjtat rrjete që ka dikush që është rritur dhe është formuar tërësisht brenda atij sistemi.
Por kjo më ka mësuar edhe të jem shumë autonome, të kërkoj mundësi, të ndërtoj rrjete ndërkombëtare dhe të mos e kufizoj aktivitetin tim vetëm brenda një institucioni apo një vendi.
Sa e vështirë ka qenë të ndërtoni identitetin tuaj profesional në një shoqëri të re dhe të fitoni hapësirën tuaj në një sistem akademik konkurrues? Origjina juaj ka qenë sfidë, vlerë shtesë, të dyja?
Do të thosha të dyja.
Në disa momente origjina mund të jetë një sfidë, veçanërisht në fillim, sepse duhet të integrohesh në një sistem të ri, të kuptosh rregullat e tij dhe të ndërtosh kredibilitetin tënd profesional.
Por me kalimin e kohës kam kuptuar se të kesh një identitet që ndërthur dy kultura është edhe një vlerë shumë e madhe.
Të qenit shqiptare dhe të kesh ndërtuar karrierën në Itali më ka dhënë mundësinë të shoh shumë çështje nga perspektiva të ndryshme. Më ka bërë më të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, më të ndjeshme ndaj diversitetit dhe ndoshta edhe më të aftë për të krijuar ura mes njerëzve, institucioneve dhe vendeve.
Sot e konsideroj këtë dimension një pjesë të rëndësishme të identitetit tim profesional.
Nuk mendoj se duhet të zgjedhim mes vendit nga vijmë dhe vendit ku kemi ndërtuar karrierën. Mund t’u përkasim profesionalisht të dy realiteteve dhe pikërisht në këtë ndërthurje mund të krijohet një vlerë shumë interesante.
Për mua kjo është edhe ideja më e bukur e diasporës akademike: jo vetëm largimi i dijes nga një vend, por qarkullimi i saj dhe krijimi i urave që e rikthejnë atë në forma të reja.



