Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar solli në vëmendje jo vetëm prodhimet dhe emrat e kinemasë shqiptare, por edhe një realitet gjithnjë e më të pranishëm në jetën kulturore shqiptare: krijuesit që e ndërtojnë karrierën e tyre mes Shqipërisë dhe vendeve të diasporës.
Në këtë kuptim, bashkëpunimi i Festivalit të Filmit Shqiptar me Gazetën Diaspora Shqiptare mori një kuptim të veçantë. Të dy platformat takohen në një pikë të përbashkët: kultura dhe identiteti shqiptar, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.
Kinemaja është një nga hapësirat ku kjo lidhje bëhet veçanërisht e dukshme. Shumë aktorë, regjisorë dhe kineastë shqiptarë kanë zgjedhur të jetojnë jashtë vendit, duke vijuar njëkohësisht të ruajnë lidhjen me skenën dhe kulturën shqiptare. Itali, Greqi, Gjermani e vende të tjera janë bërë pjesë e rrugëtimit profesional të një brezi krijuesish që tashmë e përjetojnë identitetin shqiptar përmes më shumë se një hapësire kulturore.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga dimensionet më interesante të kinemasë së sotme shqiptare. Ajo lëviz bashkë me njerëzit e saj.
Një aktor mund të jetojë në Athinë dhe të luajë në Tiranë. Një regjisor mund të ketë ndërtuar karrierën në Itali dhe të rikthehet për një projekt shqiptar. Një kineast mund të punojë në Gjermani, ndërsa temat, gjuhën dhe kujtesën e tij t’i marrë me vete nga vendi prej nga vjen.
Mjafton të përmendin dy fitues të këtij edicioni për ta ilustruar.
Blerim Destani. Fitues i Kupës si Aktori më i Mirë në Festivalin e Filmit Shqiptar, për interpretimin në Amsterdam Express, Destani është një nga aktorët shqiptarë me karrierë të njohur në Europë, me pjesëmarrje në produksione belge dhe franceze.
Karafil Shena. I vlerësuar nga Akademia e Filmit si Aktori më i Mirë për interpretimin në Bolero në vilën e pleqve, ai ka një histori profesionale që prej tri dekadash zhvillohet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Është një rrugëtim që tregon më shumë sesa një karrierë të ndarë mes dy vendeve. Tregon se si një artist mund të jetojë në një kulturë tjetër dhe, megjithatë, të vazhdojë të jetë pjesë e skenës shqiptare. Çmimi i marrë në Tiranë bëhet kështu edhe një lloj ure mes dy hapësirave ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij artistike.
Dhe Destani dhe Shena nuk janë të vetmit.
Kinemaja, ndoshta më shumë se shumë fusha të tjera të kulturës, e ka bërë të dukshme këtë Shqipëri që jeton përtej kufirit. Artistët e diasporës nuk janë më thjesht një publik që ndjek nga larg atë që ndodh në vend. Ata janë pjesë e krijimit. Në disa raste, edhe pjesë e suksesit të kinemasë shqiptare jashtë saj.
Kjo është edhe arsyeja pse bashkëpunimi i Festivalit të Filmit Shqiptar me Gazetën Diaspora Shqiptare merr një kuptim që shkon përtej një partneriteti mediatik.
Të dyja i drejtohen një hapësire të përbashkët: shqiptarëve dhe kulturës shqiptare kudo që ndodhen. Njëra përmes filmit, tjetra përmes gazetarisë dhe komunikimit me komunitetet shqiptare në botë.
Në fund të fundit, një film shqiptar nuk i përket vetëm vendit ku është xhiruar. As një aktor shqiptar nuk mund të shihet vetëm përmes adresës ku jeton.



