Nga Nizami Rexhepi
Një ditë besimi, bashkimi dhe krenarie shqiptare
Në qytetin e Adelaide, të dielën, më 13 shtator, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 10-vjetorit të kanonizimit dhe shenjtërimit të Nënë Terezës, një aktivitet i organizuar nga Shoqata Katolike Shqiptare “Nënë Tereza”.
Kjo ditë e veçantë bashkoi besimtarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar, klerikë të besimeve të ndryshme, figura publike dhe miq të komunitetit, duke e kthyer aktivitetin në një festë të madhe të identitetit dhe vlerave shqiptare.
Meshën solemne e udhëhoqi Arqipeshkvi i Adelaide, Patrick O’Regan, së bashku me priftin shqiptar Gabriel Grabanica, i cili kishte udhëtuar enkas nga vendlindja për të marrë pjesë në këtë përvjetor të rëndësishëm.
Mesazhi i ceremonisë ishte i qartë dhe i thjeshtë, në frymën e vetë Nënë Terezës: dashuri, paqe, humanizëm dhe shërbim ndaj njëri-tjetrit.
Një moment veçanërisht domethënës ishte pjesëmarrja e Imamit nga Melburni, Dr. Bekim Hasani, i cili përcolli një mesazh të fuqishëm për bashkimin e shqiptarëve. Ai u shpreh se ndihej krenar që merrte pjesë në një tubim ku, përtej dallimeve fetare, bashkonte shqiptarët.
Mesazhi i tij ishte se feja na ka mësuar të bashkohemi dhe ta forcojmë kombin, duke dëshmuar edhe një herë se respekti, toleranca dhe dashuria për kombin mund të tejkalojnë çdo dallim.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Melburni, ndër ta z. Sezar Jakupi, i cili solli në vëmendje lidhjen e veçantë të Nënë Terezës me shqiptarët e Australisë. Ai kujtoi se Nënë Tereza kishte vizituar Australinë gjashtë herë dhe se një kushërirë e saj e parë kishte jetuar në Yarraville të Melburnit, duke krijuar një lidhje të veçantë mes figurës së shenjtë dhe komunitetit shqiptar në Australi.
Nga Sidnei ishte i pranishëm edhe kryetari i komunitetit shqiptar, z. Elmaz Berisha.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu të ftuar të shumtë, përfshirë ministra dhe përfaqësues të Parlamentit të Australisë, si dhe kryetarë bashkish dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre, kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, z. Tonin Pecaj, dhe nënkryetarja, znj. Donika Zefi, ndanë mirënjohje për të ftuarit dhe kontribuesit e këtij aktiviteti.
Pas pjesës ceremoniale dhe fjalimeve, skena iu dorëzua valleve dhe muzikës shqiptare. Një atmosferë e veçantë u krijua nga valltarët e Shoqatës “Nënë Tereza” dhe Eagle Folk Dance nga Melburni, të cilët udhëtuan drejt Adelaide me mbi 50 valltarë.
Ata sollën një mozaik të jashtëzakonshëm ngjyrash, veshjesh tradicionale dhe koreografish mbresëlënëse, të përgatitura nga koreografi Bardhi Durmishi. Përmes valleve u përcollën tradita dhe kultura shqiptare, duke dëshmuar edhe një herë forcën e artit në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Mbrëmja vazhdoi me muzikë, këngë dhe valle, të shoqëruara nga DJ Leo, duke krijuar një atmosferë festive që zgjati deri vonë.
Të gjithë të pranishmit u larguan me një kujtim të bukur dhe me një mesazh të përbashkët, të thjeshtë, por shumë domethënës, që na kujton gjithmonë filozofinë e Nënë Terezës:
“Dita fillon me një buzëqeshje.”
Një buzëqeshje që këtë herë bashkoi shqiptarët e Adelaide, Melburnit, Sidneit dhe më gjerë, në emër të një prej figurave më të mëdha shqiptare dhe njerëzore të të gjitha kohërave – Shën Nënë Terezës.










