Në Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër më 9 shtator 2026 u zhvillua promovimi i autores shqiptare Lea Ypi, profesoreshë në London School of Economics. Aktiviteti, vazhdimësi e traditës “Pena Që Lëvron Jetë”, solli në vëmendje letërsinë shqipe dhe rolin e autorëve shqiptarë në jetën kulturore të diasporës.
E ideuar, promovuar dhe moderuar nga Anila Kadija, mbrëmja u organizua në bashkëpunim me Albanian Book Lovers Culture Club dhe British Albanian Culture Arts. Ky organizim, tashmë një hapësirë e rëndësishme për prezantimin e autoreve shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e vendosi librin shqip në një prej institucioneve më prestigjioze të kulturës muzikore në Londër.
Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Uran Ferizi, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, Vlorat Gashi, Valmira Thaçi Muça dhe Arta Qehaja.
Biseda me Lea Ypin u shtri përtej prezantimit të veprave të saj, duke prekur çështje filozofike, letrare dhe shoqërore. Pyetjet e të pranishmëve dhe bashkëbisedimi me autoren krijuan një hapësirë reflektimi mbi kujtesën, identitetin dhe përvojën njerëzore. Personazhet dhe temat e librave “Të lirë” dhe “Të poshtëruar” u rikthyen në vëmendje përmes leximeve dhe diskutimeve, në një dialog mes letërsisë dhe historisë.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte preludi muzikor në violonçel, me vepra të Johann Sebastian Bach dhe Tonin Arapit. Interpretimi nga profesoresha e muzikës Brikelda Syla dhe studentja e saj Isabella Bejko i dha aktivitetit një dimension të mëtejshëm artistik, duke ndërthurur fjalën e shkruar me tingullin.
Veprat e Lea Ypit, të përkthyera në 37 gjuhë, dëshmojnë shtrirjen ndërkombëtare të letërsisë së saj. Së shpejti pritet edhe botimi i një vepre të tretë, duke zgjeruar praninë e autores në skenën letrare ndërkombëtare.
“Pena Që Lëvron Jetë” e vendos krijimtarinë e autoreve shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar në qendër të një përpjekjeje kulturore që lidh gjuhën, letërsinë dhe përkatësinë.







