Nga Shani Pnishi
Në këtë intervistë për Diaspora Shqiptare, psikologia shqiptare Arta Tërstena Osmani, e cila ushtron profesionin në Böblingen, pranë Stuttgartit, flet për shëndetin mendor të fëmijëve shqiptarë në diasporë, sfidat e rritjes mes dy kulturave, rëndësinë e gjuhës dhe identitetit shqiptar, si dhe përvojën e saj profesionale në Gjermani.
Diaspora Shqiptare: Kush është Arta Tërstena Osmani? Na tregoni shkurtimisht për veten dhe rrugëtimin tuaj profesional.
Arta Tërstena Osmani: Unë jam Arta Tërstena Osmani, psikologe shqiptare, dhe prej rreth dy vitesh ushtroj profesionin tim në Gjermani. Menjëherë pasi mësova gjuhën gjermane, u angazhova në organizatën Lebenshilfe në Böblingen, e cila ofron mbështetje dhe shërbime për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara, si dhe për familjet e tyre. Atje kam punuar si asistente e integrimit në shkollë për një fëmijë gjerman të diagnostikuar me ADHD.
Prej rreth një viti punoj me fëmijë shqiptarë që kanë nevojë për shërbime psikologjike. Studimet bachelor dhe master i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve master kam qenë e angazhuar në kuadër të organizatës angleze “The Ideas Partnership”, ku kam punuar me fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa gjatë studimeve bachelor kam kryer praktikën profesionale pranë Klinikës së Psikiatrisë së Fëmijëve në QKUK.
Diaspora Shqiptare: Si lindi dëshira për të studiuar psikologjinë dhe çfarë ju frymëzoi të ndiqni këtë profesion?
Arta Tërstena Osmani: Kjo pyetje më kthen pas në kohën e gjimnazit. Në vitin e dytë kemi pasur psikologjinë si lëndë dhe pikërisht aty ka filluar interesimi im për të mësuar më shumë rreth psikologjisë së njeriut.
Më ka fascinuar mënyra se si funksionon truri i njeriut përmes neuroneve dhe neurotransmetuesve, si dhe mënyra se si e gjithë kjo përkthehet në sjellje. Më pas, interesi im është rritur gjithnjë e më shumë për të kuptuar sjelljet dhe dinamikat e psikologjisë së njeriut.
Diaspora Shqiptare: Studimet i keni përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Sa sfidues ishte procesi i njohjes dhe validimit të diplomave në Gjermani?
Arta Tërstena Osmani: Procesi ka qenë relativisht i lehtë. Fillimisht më është dashur të bëj nostrifikimin e diplomave në Ministrinë e Arsimit në Kosovë dhe më pas dokumentet i kam dërguar në Konferencën e Përhershme të Ministrave të Arsimit dhe Çështjeve Kulturore, përkatësisht në Zyrën Qendrore për Arsimin e Jashtëm (Kultusministerkonferenz – Zentralstelle für ausländisches Bildungswesen) në Bonn.
Procesi ka zgjatur rreth tre muaj. Studimet e mia janë njohur dhe më është dhënë e drejta të punoj në Gjermani.
Diaspora Shqiptare: Prej tre vitesh jetoni dhe punoni në Gjermani. Si ka qenë përvoja juaj e integrimit si profesioniste në një vend të ri?
Arta Tërstena Osmani: Asnjëherë nuk është e lehtë të ndryshosh vendbanimin. Integrimi është një proces kompleks dhe i ndryshëm për secilin person, por unë e konsideroj veten me fat, pasi kam pasur përkrahjen e bashkëshortit dhe familjes së tij.
Në muajt e parë në Gjermani kam ndjekur kursin e gjuhës gjermane dhe, njëkohësisht, kam punuar në një fast-food, në mënyrë që ta praktikoja gjuhën që po mësoja. Pas përfundimit të kursit të gjuhës gjermane dhe pasi u njoh diploma ime, fillova të kërkoj punë në profesionin tim.
Lebenshilfe ishte organizata që më punësoi si asistente e integrimit në shkollë për një fëmijë gjerman të diagnostikuar me ADHD.
Gjatë kësaj kohe, përmes rrjeteve sociale, kam rënë në kontakt me psikologen shqiptare nga Kosova, Merita Kukaj, e cila punon me të rritur në Stuttgart. Ajo më ka ndihmuar duke më dhënë informacione se si ta regjistroj biznesin tim dhe më ka vënë në kontakt me disa prindër shqiptarë që kishin nevojë për shërbime psikologjike për fëmijët e tyre.
Diaspora Shqiptare: Aktualisht ushtroni profesionin në Böblingen, pranë Stuttgartit. Çfarë shërbimesh psikologjike ofroni dhe me cilat grupmosha punoni më së shumti?
Arta Tërstena Osmani: Po, tashmë kam rreth një vit që punoj me fëmijë që kanë nevojë për mbështetje psikologjike. Grupmosha me të cilën punoj është nga 4 deri në 16 vjeç.
Punoj me fëmijë në spektrin e autizmit, me vështirësi në rregullimin emocional, ankth ose frikë, sfida në sjellje, vështirësi në vëmendje dhe përqendrim. Gjithashtu, ofroj konsulta për prindër që kërkojnë udhëzim profesional.
Diaspora Shqiptare: Pse mendoni se është e rëndësishme që familjet shqiptare në Gjermani të kenë qasje te një psikolog që flet gjuhën shqipe dhe njeh kulturën e tyre?
Arta Tërstena Osmani: Një nga parimet themelore të një procesi terapeutik të suksesshëm është ndërtimi i një marrëdhënieje të bazuar në besim të ndërsjellë, ku klienti ndihet i kuptuar, i pranuar dhe i sigurt për t’u shprehur.
Pikërisht për këtë arsye besoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët të kenë mundësinë të kenë qasje edhe te psikologë shqiptarë, të cilët e kuptojnë jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën, vlerat dhe përvojat e tyre.
Diaspora Shqiptare: Cilat janë sfidat më të shpeshta emocionale dhe psikologjike me të cilat përballen fëmijët shqiptarë që rriten në diasporë?
Arta Tërstena Osmani: Sfida më e madhe, për mendimin tim, është balancimi ose pozicionimi i tyre mes dy kulturave: asaj shqiptare dhe gjermane.
Kjo mund të krijojë konfuzion identitar, ndjenjën se nuk i përkasin plotësisht asnjërës kulturë, vështirësi në komunikimin me prindërit për shkak të dallimeve gjuhësore ose brezore, si dhe presion për t’u përshtatur me moshatarët.
Në disa raste, kjo shoqërohet me ankth, ulje të vetëvlerësimit ose vështirësi në shprehjen e emocioneve.
Diaspora Shqiptare: Sa e rëndësishme është ruajtja e gjuhës shqipe dhe identitetit kulturor për mirëqenien emocionale të fëmijëve?
Arta Tërstena Osmani: Është mjaft e rëndësishme. Ruajtja e gjuhës shqipe dhe identitetit kulturor i bën fëmijët më të sigurt për atë se kush janë dhe nga vijnë. Ata kanë një histori familjare që u jep identitet.
Por po aq e rëndësishme sa ruajtja e gjuhës dhe identitetit kulturor është edhe integrimi i fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë gjermane.
Duhet të kemi kujdes, sepse nuk bëhet fjalë për të zgjedhur se cilës kulturë i përkasin, por për t’i ndihmuar fëmijët të ndërtojnë një identitet që i përfshin të dyja kulturat.
Diaspora Shqiptare: Cilat janë disa këshilla që do t’u jepnit prindërve shqiptarë për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me fëmijët e tyre në një mjedis dykulturor?
Arta Tërstena Osmani: Këshilla ime e parë është që të krijojnë një marrëdhënie me fëmijët të ndërtuar mbi respektin, mbështetjen dhe dëgjimin aktiv. Fëmijët kanë nevojë të ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar, e jo vetëm të udhëzuar.
Prindërit duhet ta kenë parasysh se fëmijët nuk kanë nevojë për prindër të përsosur, por për prindër që janë gjithmonë aty për ta, pavarësisht rrethanave apo gjendjes emocionale të fëmijëve të tyre.
Sa i përket mjedisit dykulturor, mendoj se prindërit duhet t’i inkurajojnë fëmijët e tyre t’i ruajnë traditat dhe gjuhën shqipe, por pa ushtruar presion. Po ashtu, në të njëjtën kohë, asnjëherë nuk duhet të përdorin fjalor diskriminues ndaj kulturës së vendit ku jetojnë apo ndaj kulturave të tjera.
Diaspora Shqiptare: A mendoni se komuniteti shqiptar në Gjermani po bëhet më i ndërgjegjshëm për rëndësinë e shëndetit mendor?
Arta Tërstena Osmani: Patjetër. Duke jetuar në një shtet si Gjermania, ndërgjegjësimi për rëndësinë e shëndetit mendor është pothuajse i pashmangshëm, pasi tema të tilla trajtohen që në shkollat fillore dhe vazhdojnë edhe më tej.
Gjithashtu, rrjetet sociale luajnë një rol shumë të rëndësishëm, si për marrjen e informacioneve, ashtu edhe për ndarjen e përvojave përmes videove dhe postimeve të ndryshme, qoftë nga profesionistët e fushës, qoftë nga persona që janë përballur vetë ose përmes fëmijëve të tyre me sfida të shëndetit mendor.
Diaspora Shqiptare: Cili ka qenë momenti më i veçantë ose më frymëzues në punën tuaj deri më tani?
Arta Tërstena Osmani: Kur punon me fëmijë, çdo progres i tyre është frymëzues. Megjithatë, dua ta përmend takimin me familjen e parë shqiptare në Böblingen.
Ishte dhjetor dhe në dhomë ndodhej një bredh i stolisur. Gjatë bisedës, nëna e fëmijës më tha: “Tash që të kemi gjetur, për ne je si ai yll në majë të bredhit”, duke treguar me dorë drejt tij.
Ai moment do të më shoqërojë gjatë gjithë karrierës sime, sepse më bëri të kuptoj se sa rëndësi dhe përgjegjësi ka profesioni që ushtroj në jetën e dikujt.
Në të njëjtën kohë, ai krahasim me yllin më bëri shumë të lumtur, sepse kuptova se mund të jem e dobishme për njerëzit.
Diaspora Shqiptare: Cilat janë objektivat dhe planet tuaja profesionale për të ardhmen në Gjermani?
Arta Tërstena Osmani: Objektivat e mia janë të ofroj mbështetje psikologjike për sa më shumë familje shqiptare në Gjermani dhe, përmes trajnimeve dhe takimeve, të kontribuoj në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në komunitetin shqiptar, veçanërisht rreth autizmit.
Plani im afatgjatë është ngritja ime profesionale brenda sistemit gjerman të shëndetit mendor përmes trajnimeve të vazhdueshme, sidomos në fushën e autizmit.
Diaspora Shqiptare: Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni shqiptarëve që jetojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre në Gjermani?
Arta Tërstena Osmani: Diversiteti gjuhësor, kulturor dhe etnik është vlerë dhe një dhuratë e bukur. Andaj, integrimi në shoqëri nuk është asimilim, por një mundësi më shumë.
Rritja e fëmijëve në një mjedis familjar të shëndoshë dhe të sigurt, në gjuhën shqipe, së bashku me arritjet në sistemin arsimor gjerman, është një nga format më të sigurta për ndërtimin e vetëbesimit dhe personalitetit të fëmijëve.
Po ashtu, përvetësimi i vlerave multikulturore është i nevojshëm për një jetë të shëndetshme dhe për suksesin profesional.



