Forbes ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve më tërheqëse për amerikanët që kërkojnë të dalin në pension jashtë SHBA-së, duke e renditur mes destinacioneve që kombinojnë kosto të përballueshme jetese, klimë të favorshme, kujdes shëndetësor me kosto më të ulët dhe mundësi më të lehta qëndrimi.
Në analizën e saj për destinacionet më të mira të pensionit jashtë vendit për vitin 2026, Forbes përzgjodhi 24 shtete dhe 96 zona të rekomanduara në mbarë botën, duke marrë në konsideratë faktorë si çmimet e banimit, shërbimet shëndetësore, siguria, stabiliteti politik, rreziku klimatik dhe mikpritja ndaj qytetarëve amerikanë.
Mes vendeve europiane të listës është edhe Shqipëria, e përshkruar si një vend mesdhetar me peizazhe të jashtëzakonshme, kosto jetese dukshëm më të ulët se Shtetet e Bashkuara dhe një proces relativisht të lehtë për të siguruar qëndrimin afatgjatë.
Një nga shembujt e sjellë nga Forbes është çifti amerikan Dorsie dhe Dan Schmitz, të cilët pas 37 vitesh martesë vendosën të largohen nga Michigan për të nisur një jetë të re në Vlorë. Ata kishin shqetësime për kostot e jetesës në SHBA dhe klimën politike atje dhe kërkuan një vend që t’u ofronte një mënyrë jetese më të qetë dhe më të përballueshme.
Në prill, çifti u zhvendos në Vlorë, ku paguan rreth 1.100 dollarë në muaj për një apartament me tre dhoma gjumi pranë Lungomares, duke e konsideruar Shqipërinë një alternativë që kombinon detin, klimën mesdhetare dhe një kosto jetese rreth gjysmën e asaj në SHBA.
“Forbes” thekson se Shqipëria, një vend me rreth 2.4 milionë banorë në brigjet e Adriatikut, ka kaluar një transformim të madh pas rënies së komunizmit dhe sot është anëtare e NATO-s, me një klimë të ngjashme me vendet e tjera të Mesdheut, por me çmime shumë më konkurruese.
Sipas revistës amerikane, ndër avantazhet kryesore të Shqipërisë janë:
- Kosto jetese shumë më e ulët se në SHBA, veçanërisht për banesat dhe shërbimet.
- Klima mesdhetare, me dimra të butë dhe verëra të gjata.
- Bregdeti dhe natyra, me zona të preferuara si Vlora, Saranda dhe Durrësi.
- Procedura relativisht të lehta për qëndrime më të gjata, krahasuar me shumë vende të tjera.
- Kosto më të ulëta të kujdesit shëndetësor, edhe pse Forbes vëren se sistemi shëndetësor shqiptar është ende në zhvillim dhe disa pacientë zgjedhin specialistë në Itali ose vende të tjera europiane.
Forbes përmend gjithashtu se pensionistët amerikanë në Shqipëri mund të qëndrojnë deri në një vit si turistë, ndërsa ekzistojnë rrugë të tjera ligjore për qëndrime afatgjata, përfshirë lejet për punë në distancë dhe opsionet për rezidencë.
Në analizën e saj, revista vëren se një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh po shqyrtojnë pensionimin jashtë SHBA-së për shkak të rritjes së kostove, dëshirës për një stil tjetër jetese dhe kërkimit të një mjedisi më të qetë social e politik. Sipas të dhënave të përmendura nga Forbes, mbi 700 mijë amerikanë marrin aktualisht përfitime të Sigurimeve Shoqërore jashtë vendit, një shifër që është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.



