Nga Beqir SINA
Në prill 2026, diplomacia pakistaneze shkroi një faqe të re në historinë e paqes rajonale. Pas tensioneve të rënda që kërcënonin të shpërthenin në një konflikt të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Pakistani arriti të ndërmjetësojë një armëpushim dyjavor. Në qendër të kësaj përpjekjeje qëndron Field Marshal CDF Syed Asim Munir, i cili tashmë ka marrë thirrje publike për t’u nominuar zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqen.
Grupi amerikan “Sikhs for Justice” (SFJ) dorëzoi tashmë nominimin për Çmimin Nobel 2027, duke lavdëruar rolin e Munirit dhe zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në uljen e rrezikut të një lufte më të gjerë.
Sipas SFJ, “diplomacia e komandës” e Munirit arriti atë që OKB-ja nuk mundi ta bënte në kohë: komunikim të drejtpërdrejtë mes palëve. Munir zhvilloi biseda intensive me Vance, envoy Steve Witkoff dhe ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, duke kaluar mesazhe dhe propozime që çuan në pezullimin e sulmeve amerikane.
Media pakistaneze dhe Dhoma e Tregtisë së Karachit (KCCI) shkuan më tej: ata kërkojnë që qeveria të nominojë zyrtarisht jo vetëm Munirin, por edhe Kryeministrin Shehbaz Sharif.
Sipas tyre, lidhjet personale të Munirit me Presidentin Trump i cili e ka quajtur “field marshal-i im i preferuar” dhe besimi i Iranit te Pakistani si ndërmjetësues neutral, krijuan një urë unike besimi. Trump vetë konfirmoi se vendosi armëpushimin bazuar në bisedat me Sharifin dhe Munirin.
Nominimi shtetëror sipas shtypit amerikan do të njihte kontributin diplomatik të vendit të tij si fuqi paqeprurëse, do të forconte imazhin ndërkombëtar të Pakistanit dhe do të hapte derën për role më të mëdha në zgjidhjen e konflikteve globale.
Edhe pse Komiteti Nobel norvegjez vendos në mënyrë të pavarur dhe nominimet janë konfidenciale, një veprim zyrtar tregon seriozitet dhe vizion, thotë CNN.
“Sigurisht, çmimi Nobel për Paqe nuk jepet lehtë. Ai kërkon rezultate konkrete afatgjata, jo vetëm një armëpushim të brishtë. Megjithatë, suksesi i Pakistanit në këtë krizë tregon se diplomacia e heshtur dhe lidhjet personale mund të parandalojnë katastrofa.”
Qeveria pakistaneze ka tani mundësinë të veprojë thotë shtypi anerikan, të paraqesë nominimin zyrtar dhe të punojë me aleatë për ta mbështetur atë: “Në një botë të tensionuar, ku lufta duket më e lehtë se paqja, një gjest i tillë do të ishte jo vetëm nderim për Munirin, por edhe afirmim i rolit të Pakistanit si ndërmjetësues i besueshëm.”



