Nga Soni Memoci
Studiues, qytetarë dhe diaspora bashkohen për të nderuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Më 4 prill 2026, në zemër të Malësisë, në vendin ku historia ende ndihet në çdo gur e në çdo kullë, do të zhvillohet një ngjarje e rëndësishme që pritet të mbledhë studiues, dashamirës të historisë dhe qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare, si edhe bashkatdhetarë nga diaspora shqiptare. Në Kullën e Çun Mulës në Hot do të mbahet Konferenca Shkencore mbi Historinë, kushtuar Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911, një nga momentet më të rëndësishme në rrugën drejt lirisë dhe shtetformimit shqiptar.
Konferenca organizohet nga Shoqata Atdhetare “Kulla e Bajraktarit të Hotit”, me kryetar Arian Bajraktari, në bashkëpunim me Muzeun “Malësia”, me synimin për të rikthyer në vëmendjen e publikut një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Në pranverën e vitit 1911, malësorët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Trieshit, Kastratit dhe nga malet e Malësisë u ngritën në kryengritje për liri dhe të drejta kombëtare. Nën udhëheqjen e figurave historike si Dedë Gjo Luli, ata arritën të ngrinin Flamurin Kombëtar në majën e Deçiqit. Ky akt nuk ishte vetëm simbolik, por një deklaratë politike dhe një paralajmërim historik për lindjen e shtetit shqiptar. Ai u bë preludi i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.
Harta e rajonit të Malësisë së Madhe paraqet hapësirën gjeografike ku u zhvilluan ngjarjet e Kryengritjes së vitit 1911 dhe identifikon territorin e banuar nga fiset shqiptare të Hotit, Grudës, Kelmendit, Trieshit dhe Kastratit, si dhe zonat strategjike të përplasjeve me forcat osmane. Në këtë hapësirë gjeografike veçohen mali i Deçiqit dhe zona e Tuzit, që lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet kryesore të kryengritjes.
Mali i Deçiqit dhe vendi i njohur si Bratila kanë një rëndësi të veçantë historike. Pikërisht në këtë vend, më 6 prill 1911, Dedë Gjo Luli dhe kryengritësit shqiptarë ngritën flamurin shqiptar, një akt që simbolizoi ringjalljen e simbolit kombëtar dhe një moment kyç në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare.
Në konferencë do të referojnë disa nga studiuesit dhe historianët më të njohur shqiptarë: Akademik Kujtim Shala, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Ass. Dr. Edmond Malaj dhe Profesor Mark Junçaj, të cilët do të trajtojnë rëndësinë e Kryengritjes së Malësisë në procesin e shtetformimit shqiptar.
Kryengritja e Malësisë gjeti mbështetje edhe në treva të tjera shqiptare. Burime historike, ndër to shkrimet e Marin Sirdanit dhe Shpend Bardhit në revistën “Hylli i Dritës” (1937–1938), përmendin edhe pjesëmarrjen dhe solidaritetin e luftëtarëve nga zona të tjera, ndër to edhe nga Gurëzi në Bregun e Lumit/Ishmit. Ky kontribut dëshmon frymën e bashkimit dhe solidaritetit kombëtar që shoqëroi këtë kryengritje.
Konferenca do të zhvillohet të shtunën, më 4 prill 2026, në ora 14:30, në Kullën e Çun Mulës në Hot, Malësi e Madhe.
Ky aktivitet është një moment reflektimi për historinë dhe rrënjët tona kombëtare dhe një ftesë për të gjithë shqiptarët – në trojet tona dhe në diasporë – që të kujtojnë sakrificat dhe përpjekjet që çuan drejt lirisë dhe shtetformimit shqiptar.
Organizatorët shpresojnë që konferenca të mbledhë një numër të madh pjesëmarrësish, sidomos brezat e rinj dhe bashkatdhetarët nga diaspora, për të cilët njohja dhe ruajtja e historisë është një përgjegjësi e përbashkët.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin një sfilatë këngësh nga më të mirat e trevave shqiptare, e cila do të pasohet nga një koktej miqësie, në një atmosferë vëllazërore dhe festive.
Historia jeton kur ne e njohim, e kujtojmë dhe e përcjellim tek brezat që vijnë.



