Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, zhvilloi ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për kontributin e shkollave shqipe në Belgjikë dhe Luksemburg në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si dhe Ambasadori i Misionit të Maqedonisë së Veriut pranë Bashkimit Evropian, Zulfi Ismaili. Ceremonia u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Bruksel, me ftesë të ambasadores Albana Dautllari.
Gjatë ceremonisë, shkollat shqipe “Iliriada” në Antwerpen dhe Sint-Niklaas u nderuan me një mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar mes fëmijëve shqiptarë në diasporë. Në këtë ceremoni mori pjesë i gjithë stafi pedagogjik i shkollave “Iliriada”.
Përfaqësuesit e shkollës shprehën falënderime për mësueset, të cilat me përkushtim dhe dashuri punojnë për mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj shqiptarë në Belgjikë. Një mirënjohje e veçantë iu drejtua edhe prindërve, të cilët mbështesin këtë nismë duke i sjellë fëmijët e tyre në shkollë dhe duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor shqiptar në diasporë.



