NGA PROF.ASOC.DR. ARIAN LEKA
AKTI I TË MENDUARIT SI ZBULIM
Ka libra që hyjnë në qarkullim duke e kërkuar haptazi, madje që në titull, ritmin ndryshe në lexim. Libri “Koka mbi katror” i Zija Çelës (Onufri, 2025), i përket kategorisë eseistike tej zhanrit shpjegues, ku akti i të menduarit është gjithashtu zbulim. Lexuesi paralajmërohet nga ballina se do të përballet me tensionet e një autori, që zgjedh të përgjigjet personalisht, pa i fshehur emocionet ndaj një vepre, për të përcjellë si shkrimtar përvojën e lexuesit. Sfida e parë është Katrori – forma kokëfortë, disiplina dhe kufiri. Më pas edhe Koka – pavarësimi, vetëdija që nuk pranon të mbyllet brenda sistemit, duke ofruar veten për Tjetrin, për ta nxjerrë atë nga katrori, për ta vendosur brenda kanonit letrar. Kjo ndehje e kokës mbi katror është boshti estetik dhe etik i të gjithë veprës.
Veç leximit, libri kërkon edhe të dëgjohet. E përfytyron veten si në koncert, ku eseja është edhe formë letrare, edhe partiturë. Në hyrjen minimaliste, njëherazi programore për librin (f.5), autori evokon skicën e Da Vinçit, ku anatomia e përsosur e njeriut përshtatet brenda rrethit (hyjnor-intuitiv) dhe katrorit (tokësor-racional). Njeriu si urë midis artit dhe shkencës, siç është edhe libri. Një drejtpeshim mes njohurisë së strukturuar dhe imagjinatës spontane, që prek të dy skajet, pa u përkatësuar. Ornamenti kulturor i njeriut mes dy formash i shërben eseistikës, këtij zhanri-urë, si trokashkë mbi portën e librit, duke qenë gjithashtu çelësi interpretues i 34 eseve narrative të Zija Çelës. Eseistika bëhet hapësirë kalimtare, një akt “transgresiv”, që sfidon “normalen” e zhanrit. Por që ky eksod të ndodhë, duhet që edhe vetë autori të dalë jashtë katrorit. Projekti estetik i Zija Çelës në këtë libër e kërkon dhe e gjen daljen, kur mbërrin përmes shkrimeve të temperuara për rreth dyzetë vjet. Dëshira “për të ndryshuar veten dhe për të mos menduar të njëjtën gjë si më parë”, do të vinte në mbështetje Foucault, e çliron shkrimtarin nga mbyllja dhe e bën ta shohë ndryshe botën ku ai, teksa jep, nuk varfërohet.
ESEJA SI AKT MORAL DHE ETIKA E SHKRIMTARIT LEXUES
E dallueshme në librit “Koka mbi katror” është sqima në përzgjedhje, të ftuarit, shpura me të cilën autori-lexues përshkon udhëtimin letrar. Zija Çela shkruan për letërsinë nga pozita e vlerësuesit të artit që, pasi e ka veçuar veprën e zgjedhur, këqyr tek ajo brendësinë, jo kornizën, para se të rrëfejë se çfarë përfaqëson e ç’përmban. Nuk është qasja e teoricienit, që i bindet algoritmit standard. Autori shkruan si ai që e njeh nga brenda sigurinë, por edhe rrezikun që vjen nga fjala. Kjo e bën morale qasjen e tij, në kuptimin e etikës së vëmendjes, e ndjeshmërisë ndaj tekstit, lexuesit dhe vetes, si autor i kësaj antologjie eseistike. Ka gjithmonë një Un’- dëshmues aty, edhe kur shkruhet për Krajën, Kadarenë, Agollin, Petro Markon, At Zefin, Zhejin, Shuteriqin, Ali Aliun, Mandalanë, Sabri Hamitin etj., edhe kur rrëfehet për aktin intim të të shkruarit, si leksion anatomie. Zija Çela përpiqet t’i rrijë larg triumfalizmit të padyshimtë të gjykimit kritik. Edhe kur kjo ndodh, ai sjell dëshminë e shijes së vet, jo rrallë sfiduese, kur e quan shkrimtarin e trillit “mashtrues i pafajshëm” – formulim ky që përmbledh tensionin mes sajimit artistik dhe së vërtetës estetike. Edhe pse teoria, që prej një kritiku si Oscar Wilde, e njeh gjykimin estetik, Çela nuk bën gjyqe, jep vlerësime. Po, shkrimtari mashtron, shkruan Çela, “sepse ai trillon në mënyrën më të besueshme e më të shëndetshme”. Kjo fjali mund të lexohet edhe si autoportret i librit, pasi përtej ankthit të daljes në përfundime, autori i beson procesit të mendimit, lëvizjes së tij spirale, pa fund e pa përfundime. Ky tipar e afron veprën me traditën e esesë argumentuese, me qëndrime të qarta edhe për tema debati, ndaj të cilave autori shprehet me dendësi gjuhësore dhe imagjinative, por në respekt të standardeve formale.
ESEJA SI MBITEKST – TIPOLOGJI SHKRIMORE
Si tipologji shkrimore vepra përfshihet në eseistikën e rezistencës. Rezistencë ndaj banalizimit të kritikës, ndaj shpejtësisë së gjykimit dhe ndaj konsumimit të ideve. Kjo eseistikë shmang të qenurit shërbëtore e veprës letrare, për t’u bërë bashkëbiseduese me të. Librat dhe autorët përfytyrohen si stacione, me alegori të qarta për fatin e tyre. “Koka mbi katror” përfaqëson esenë si mbitekst. Pasi e shndërron në proces aktiv leximin, autori zgjeron marrëdhënien me veprat në shqyrtim, siç do të shprehej Merve Emre. Eseja kanonike takon me recensionin dhe artikullin përshëndetës, shpjegimi i një procesi letrar bëhet pikturim i një tabloje me detaje gati shqisore, kritika ndërton një diskurs të vazhdueshëm mbi kujtesën, gjuhën e shkrimtarin dhe parashikimi i klimës letrare e bën të mendojë se hierarkia letrare është zonë tektonike.
Në një kohë kur kritika shpesh rrëshqet në sociologji të shpejtë, ose në gjuhë teorike të padepërtueshme, esetë e Zija Çelës sugjerojnë kthimin te kritika si art i gjallë leximi. Pa kërkuar të jetë autoritare, vepra projektohet mbi tekstin dhe jetën e fjalëve. Në këtë kontekst, fuqi tërheqëse ushtron pozicioni që zgjedh autori. Dhe nuk është vetëm një. Ai zgjedh të veçohet, me sa mundet, prej skolastit të distancuar, egocentrikut apo shkrimtarit narcisist, që përdor të tjerët për të folur për veten. Është shkrimtari-lexues, që shkruan mbi “Diçka për gjurmën dhe pasionin” (fq.21-28). Reflektohet mbi gjurmën – mbi shenjën që lë njeriu në botë. Marrëdhënia me përjetimin zgjerohet, për t’u bërë meditim mbi artin shkrimor. “Letërsia është njëra nga bankat më të moçme e më të sigurta të fjalës së shkruar”, shprehet autori. Ky përfytyrim përmbledh besimin humanist se shkrimi është kundërshtim i zhdukjes, mbijetesë përmes letërsisë. Prej këtej, “Koka mbi katror” dëshmon se eseja letrare mund të jetë një formë e gjallë e kontestuese, e domosdoshme as më shumë e as më pak se një koncert që, edhe kur partiturat mbyllen me akord final, tingulli mbetet në sallë dhe jehon gjatë në mendjen e lexuesit.
MUZIKALITET DHE DENSITET STILI
Koncerti me partitura letrare, siç paralajmërohet në ballinën e vëllimit, kërkon respektim të marrëveshjes paraprake të leximit. Vepra dhe lexuesi kanë autorin-dirigjues në mes tyre. Teksti merr të drejtën të funksionojë si thurje kompozicionale. Argumentet mbi letërsinë ofrohen si lëvizje mendimi, të krahasueshme me pjesët muzikore, që ndryshojnë tonalitet, funksionojnë si kohë të një sonate dhe ku motive si kujtesa apo fati, rikthehen me variacione temash, që lexuesi ta përjetojë librin edhe si një suitë muzikore. Prania e termave muzikore në libër, pa rënë në formalitet, kërkon të jetë arkitekturë, strukturë, një banesë formash tingullore brenda një libri, që nuk mëton të sfidojë modele autorësh si Thomas Mann (me dije serioze mbi teorinë muzikore), që e përfshijnë thellësisht muzikën në tekst, si te “Doktor Faust” dhe as të bëjë atë që Prousti, Kundera apo Murakami bëjnë, kur i qasen muzikës si profesionistë. Te “Koka mbi katror”, muzika është referencë kulturore dhe emocionale, brenda së cilës rri fjala, gjuha dhe stili letrar, si një nga veçoritë e spikatura të librit. Secili tekst ka timbrin, regjistrin dhe funksionin e vet në një ansambël më të gjerë tekstesh brenda vëllimit, ku ndeshet dueti dhe shumëzërëshi, për shembull në bashkëkuvendimet e autorit me Kadarenë, Agollin, Zhejin, Markon etj., por edhe dialogu (Një kryevepër e realizmit shkencor), monologu (Shpirtrat e mëdhenj hapen si horizonti) apo komenti (Nusja dhe tingujt e Parajsës), si teknika plotësuese. E pajisur me muzikalitet, proza eseistike e Zija Çelës është e ngarkuar pa u ndjerë e rëndë, ajo është e pasur me ornamente, në kuptimin e hijeshisë, pa qenë ornamentale. Fjalia ka movimento të brendshme dhe terma të tjera muzikore, që përligjin metaforën e koncertit dhe tempove ritmike.
Nuk është rastësi që autori i krahason disa vepra me pianon, violinën, violën, violonçelin, dhe që disa të tjera i quan oratorio (Rrno për me tregue), apo sonatë (Selvitë e Tivarit). Kjo mënyrë e të menduarit të letërsisë si strukturë tingujsh përshkon gjithë librin. Përvojat e leximit shndërrohen në tingull dhe në imazh. Ky është një nga kriteret që autori i vë vetes, të shohë e të dëgjojë brenda tekstit. Dhe, të besosh se çdo fjali ka peshë e se kjo peshë shpërndahet ndër lexues, duke krijuar besueshmëri brenda trillimit, ke arritur atë që studiues letrarë, si James Wood e cilësojnë si tension të lartë të trillit krijues. Me raste, ky densitet stilistik rrezikon shumë, pasi metaforat shtjellohen si fuga muzikore dhe teknika e sofistikuar e kontrapunkteve shkon fare pranë skajit fundor, aty ku fjala e humbet tërheqjen nga poshtë dhe kërkon të çlirohet, të fluturojë. Por Çela e përballon këtë tension, ndaj ndodh e kundërta, pasi besimi i autorit buron nga fuqia shprehëse e gjuhës dhe po aq nga dhuntia e atij, i cili e zotëron fluturimin dhe e di ku duhet të ndalojë.
VARIACIONE MBI TEMA LETRARE DHE TË FTUARIT
Për ta kuptuar plotësisht fugën me melodinë e vet parësore, prezantuar nga zëri unik, që më pas replikohet nga zërat pasues dhe ndërthuret me zërat e një strukture komplekse të Kokës mbi katror, duhet qëndruar gjatë te mikromekanika e fjalës së Zija Çelës. Fjalia pushon së qeni mjet, kur në libër shndërrohet në ndodhi, në ngjarje letrare a kujtime (Një oratorio vetëm për At Zefin; Qezari urren, Zoti përbuz), apo pjesëmarrës në kalendare që ndërthuren me letërsinë (Një shkrimtar i kërkoi dorëheqjen… Kujt?).
Në esenë “Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm” (fq.7-16), kushtuar kuartetit romanor të Mehmet Krajës, formulimi “mashtron pa pikën e drojës” është hiperbolë retorike, sa dhe një përkufizim estetik i fiksionit si akt besimi. Fjalia është e shkurtër, prerëse, pa zbukurime sintaksore dhe, mu për këtë, godet. Mashtrimi letrar për Zija Çelën s’përbën devijim moral, por mbetet mënyra për t’i qëndruar besnik së vërtetës trilluese, duke e paraqitur irealen si reale. Në të njëjtën ese, mikrolektura e një shprehjeje si “pseudo-objektiviteti i shkrimtarit të fiksionit” zbulon mendim që operon me tension, për të shprehur se objektiviteti nuk mohohet por çaktivizohet, shpallet i rremë por i domosdoshëm, një maskë pa të cilën narrativa do të rrëzohej, mbi sentimentalizëm ndoshta. Ky qëndrim ndaj leximit e afron Zija Çelën me ata kritikë, për të cilët morali i letërsisë lind nga brendësia, nga zona ku leximtari “lexon” edhe “trupin ideor” dhe identitar, që vepra përfaqëson, siç e Judith Butlerit interpreton çdo ndërhyrje ndaj “trupit narrativ”.
Edhe eseja “Stacioni i fatit të përbashkët” (fq.17-20) përfaqëson një kulm interpretativ të librit. Metafora e stacionit funksionon si figurë tematike, për t’u shndërruar në strukturë leximi. Kur Çela shkruan se personazhet “nuk i vret autori, por vetëvriten”, fjalia mbart një ekuilibër brutal: subjekti zhvendoset nga shkrimtari te personazhi, duke e kthyer romanin në hapësirë etike, jo thjesht narrative. Ky është një lexim që e shpjegon tekstin, duke e zhveshur nga alibitë e tij. Duke iu rikthyer esesë-kyçe, “Diçka për gjurmën dhe pasionin” (fq. 21-28), vihet re se teksti shënon kalimin nga kritika drejt një poetike personale. Zija Çela nuk sentimentalizon trupin njerëzor, edhe sikur ai të ishte trupi i njeriut të Leonardos brenda në rreth e katror. Ai e problematizon trupin e vet si një arkiv kujtese dhe ndjeshmërie. Në të njëjtën qasje autori përdor tekstin si trup letrar, shndërruar në dëshmi etike, në përkushtim ndaj krijuesve që ka takuar gjatë jetës, përfshi shkrimtarët Orhan Pamuk dhe Ernesto Sabato, të cilëve u kushton tekste, teksa u ka falur kujtesë e ndërmendje plot të tjerëve, me të cilët ndau rrugën letrare.
TEHU I GJUHËS DHE TONALITETET
Fragmenti ku rrëfehet ndërhyrja në zemër dhe e lidh autorin me aftësinë për të shkruar pas operacionit, është një nga momentet më të rrezikshme, siç është edhe një nga më të arrirat mes teksteve. Për shkak të intimitetit, dilemës për hapje të plotë apo të pjesshme, fjalia “zemra shkruan çdo çast” zgjedh të parën dhe shkon në kufi të asaj që Bethoveni, kur kompozonte, e quante patetikë. Por në çastin kur duket se nota më e lartë e sinqeritetit, që kërkon të kapë autori, mund të stonojë, tingulli mbërthehet pas thellësisë së kontekstit reflektues, që pranon se hapja shëron, pa premtuar shpëtim, jo e kundërta. Narrativa e Çelës në këtë libër ngjan sikur ecën mbi teh. Një hap më tej dhe do të rrëshqiste në retorikë, një hap më mbrapa dhe do të humbiste intensitetin e, bashkë me të, edhe qashtërinë. Pikërisht kjo ecje e rrezikshme është shenja se shkrimtari nuk po kërkon të rehatohet brenda sigurisë e formulës.
Pa kërkuar të jetë vendimmarrëse, fjalia e tij i largohet sentencës, kompromisit me lexuesin. Ajo kërkon të marrë atë që ka dhënë: kohë të përkushtuar, lexim të thelluar. Libri i drejtohet veçmas lexuesit që është i gatshëm të ndalet, të kthehet, të rilexojë një fjali, ta dëgjojë ritmin e saj, ta ndjejë peshën e një metafore. Në këtë kuptim, veçantia e asaj që autori shpreh për letërsinë si art shkrimi e leximi bashkë, përkon me mënyrën se si ushtrohet ai vetë. Bëhet e dukshme në esetë kushtuar Ismail Kadaresë, ku autori shmang me vetëdije ekstremet e zakonshme në qasjet eseistike, që gjenden rëndom edhe në kritikën shqiptare: adhurimin ceremonial dhe skepticizmin jashtëletrar. Në tekstin mbi romanin “Darka e gabuar”, Kadareja “merret në mbrojtje” nga shpërdorimi terminologjik i estetikës së sublimimit apo i leximit të monumentalizuar, i pranishëm që prej Longiniusit. Merita e njohur si mjeshtër i strukturës narrative dhe i ngjeshjes simbolike, siç shkruan Çela, shpreh mjaftueshëm.
Ai kupton se fuqia e Kadaresë është te temat historike apo politike, po aq sa dhe te aftësia e tij për të gjetur një bërthamë të vogël narrative, e cila, nën trysninë e formës, shpërthen në universalitet. Ky lexim e çliron Zija Çelën dhe vetë Kadarenë nga klishetë interpretative dhe e rikthen tek ajo që kritika e sotme do ta quante “inteligjenca e formës”. Edhe kur autori shkruan se romani “nuk ka nevojë që çdo gjë të jetë e justifikuar, por që asgjë të mos jetë pa vend”, në fakt, përmes esesë “Kryevepra e pagabueshme në Darkën e gabuar” (fq. 29-40), Çela formulon një aksiomë të lartësisë, të cilën arti i fjalës duhet të synojë. Kjo fjali e thjeshtë në lexim, përmban një kriter estetik të formuluar si në përkufizimet teorike. Autorë si Walter Pater e shihnin kritikën si një formë arti në vetvete, ku bukuria e gjuhës së kritikut përkon e përputhet me veprën në shqyrtim. Mikrolektura e figurës për darkën si “çengel”, që mban pezull globin narrativ, bëhet shembull i kritikës që mendon përmes metaforës, për të ndikuar te lexuesi përmes “emocioneve të forta” dhe “fisnikërisë së të shprehurit”. Por, kur shtjellon letërsinë e Dritëro Agollit, përmes esesë “Leximi i një teksti univok – Njerëz të krisur” (fq.57-64)), Çela ndryshon regjistrin tonal, teksa kërkon të gjejë përgjigje për pyetjet “se çfarë ka moderne në klasiken e këtij autori, një moderne enigmë, e pashfaqur në formë, ardhur nga një shkrimtar kryeneç përgjatë rezistencës së vet?”. Apo kur ka dilemën se “a nuk gjenden me shumicë e pabesueshmja, e përjashtuara, ëndrra, racionalja iracionale dhe irealja e shkrimtarit realist?”. Vëmendja zhvendoset nga arkitektura e prozës së gjatë te marrëdhënia mes zërit të fortë të autorit dhe botës shqiptare, të krisurve, të azdisurve dhe normalëve në prozat tregimtare, që përgatitën romanet e shquara të Agollit.
Dritëroi i Zija Çelës shfaqet spontan dhe instiktiv, i tërhequr nga toka, prozator që poetizon ligjërimin e drejtpërdrejtë dhe “usta i mbaruar” i karaktereve të fuqishme, “që nuk vdesin as nga sëmundjet dhe as nga pleqëria, por nga plumbi”. Fjalia agolliane mbart etikën e komunikimit që ngulmon të jetë i kuptuar, i lexueshëm, komunikues, pa humbur dinjitetin e fjalës estetike, që “gdhend gurin”. Pa etiketa folklorike, ndjellëse në tingëllim, Çela vë në pah se thjeshtësia e këtij autori është rafinim e rezultat përpunimi dhe se “mungesa e ambicies” ndaj abstragimit është Vox i Dritëroit, “klasikut stoik të personazheve allasoj”. Ndërsa në rastin e Petro Markos, në tekstin “Ishte bingo, Petro Marko” (fq.109-112), fjala fiton një ngarkesë emocionale të përveçme edhe për vetë librin. Markoja lexohet si shkrimtar i sprovave dhe përvojës së skajshme, i biografizimit të jetës së vet, që sfidon edhe formën e tij të shkrimit. Por autori nuk ia romantizon Petros jetën, jo pa brenga e andrralla, ku pakogjë mund të quhet romantike. Zija Çela ndalet te përplasja mes energjisë narrative dhe disiplinës formale në bisedën me Petron, te disa kujtime që anashkalojnë Buzzati-n për një Filan Filani, atë që “ecën me kokën ulur”, duke sugjeruar se pikërisht aty, në mospërputhjen e cilësisë së jetës dhe cilësisë letrare, qëndron edhe madhështia, edhe brishtësia e Petro Markos.
Ky shkrimtar e bën autorin të sjellë ndër mend se dikur, në të ri të vet, kishte lexuar “Qytetin e fundit” aq atipik, aq i tjetërsojtë, sa e bëri të besonte “se edhe në gjuhën shqipe mund të shkruheshin vepra të këtilla, që për nga niveli të kujtonin modernitetin e tekstit dhe shijen e letërsisë perëndimore. Ti më dhurove herët perspektivën letrare, atë që koha e kishte fshehur, por që s’do të mundej përgjithmonë”. Fundi dihet. Petro Markoja rehabilitohet, as ndëshkohet me lavde. Nëse lëmë mënjanë detajet e bisedës intime mes tyre, përpjekja bëhet për t’ia kuptuar madhështinë, që Petroja as e kërkoi, as nuk ia dhamë. Në tërësi, mënyra se si Zija Çela i lexon këta autorë dëshmon se letërsia, përtej hierarkive, është dialog idesh dhe formash. Kadareja, Agolli, Petro Marko dhe Kraja vendosen në një sallë rezonuese, larg podiumeve konkurruese, ku secili matet nga intensiteti i zërit të vet dhe nga qëndrueshmëria e formës që e mban atë zë. Kjo e bën Kokën mbi katror një libër me ndjeshmëri të pazakontë ndaj letërsisë moderne shqiptare, lexuar nga brenda, plot pasion, por edhe me disiplinë estetike.
DUKE RUAJTUR DISTANCËN DHE NDJESHMËRINË
Këto tipare ndjehen edhe në rastet kur autori ndërhyn mes polemikës, siç ndodh në esenë “Qezari urren, Zoti përbuz”, apo në skedat kushtuar romaneve të Surroit, “Maria Gjoni” dhe “Miliarderi”. Janë dy shkrime të shkurtra, të mprehta, të cilat e zhvendosin vështrimin kritik nga historia letrare drejt debatit publik dhe narrativës bashkëkohore. “Qezari urren, Zoti përbuz” (fq. 317-328) ndërtohet mbi një rezonancë të drejtpërdrejtë me polemikën e Qoses me Kadarenë mbi pushtetin, autoritetin moral dhe figurën e intelektualit. Që në atë kohë, Çela e lexon dialogun si simptomë kulturore, ku arbitrimi është i padëshiruar dhe ku urrejtja e Qezarit, po aq sa dhe përbuzja e Zotit, shfaqen si forma të skajshme gjykimi, njëra brutale dhe tokësore, tjetra e ftohtë dhe absolute. Rrethi dhe katrori, ku ndryhen dy trupa, dy mendësi, qe rikthyer. Romanet homonime të Surroit, “Maria Gjoni” dhe “Miliarderi” (fq.133-138), lexohen si alegori të tranzicionit, të pushtetit, joshjes, të zakonshmes te një grua dhe tundimit prej pasurisë së pakufishme. Skenat letrare nuk janë skema psikosociale. Jo gjyq letrar. Ekspozim, pa demonizuar pasurinë dhe pa idealizuar varfërinë.
Theksimi i disproporcioneve, jo vetëm ekonomike, shprehur edhe përmes regjistrit gjuhësor të personazheve, tregon se autori i “Kokës mbi katror” e lexon prozën bashkëkohore pa e instrumentalizuar atë politikisht, por duke ruajtur distancën dhe ndjeshmërinë. Këtij dialogu formash i shtohen edhe disa ese që funksionojnë si nderime kritike, pa rënë në retorikën e përkujtimit dekorativ. Në “Rrëfim me shënime autentike për Petro Zhejin” (fq.159-186), Çela përballet me një figurë sfiduese të mendimit dhe gjuhës shqipe. Zheji ekspozohet pa ekscentrizëm, edhe pse miti personal i autorit dallohet. Ai është mendja enigmatike që, përveçse mjet komunikimi, e trajtoi gjuhën si sistem energjish. Kur vëren se për Zhejin fjala është “organ i mendimit” (apo organo e mendimit?), autori di se ku ta vendosë mendimtarin e ngujuar në dije. Mikrolektura e këtij formulimi e tregon Çelën të përgjegjshëm edhe ndaj rrezikut të madhështimit të kësaj figure. Fjalia në këtë tekst mbetet e thjeshtë dhe veçantë, si numrat prim, me strukturë gati shkencore dhe për këtë arsye, çdo fjalë fiton peshë, merr rëndësi. Eseja “Një oratorio vetëm për At Zefin” (fq.97-102) është një tjetër tekst i ngarkuar emocionalisht në librin “Koka mbi katror”, duke qenë gjithashtu edhe ndër më të zotëruarit nga ana formale, pasi teksti, siç vetë termi ortorium, shërben si dhomëz tempulli për lutje dhe bashkëbisedim me tone jo thirrore. Figura e At Zef Pllumit rri tej faktit të njohur të martirit të gatshëm për ikonografi, për t’iu kthyer Zef Pllumbit shkrimtar, zërit që mbijeton përmes librit dhe gjuhës shqipe. Termi muzikor në titull është i gjetur, pasi eseja ndërtohet si kompozim zanor, me kulme, ndërhyrje polifonike kujtimesh dhe pauza, ku heshtja ka po aq rëndësi sa dhe rrëfimi në mirëbesim. Kur shkruan se “fjala e At Zefit nuk kërkon hakmarrje, por dëshmi”, autori prek thelbin etik të kësaj figure dhe, njëkohësisht, formulon kërkesën e funksionit të letërsisë së kujtesës pa patos, në prehje amëshuese e në nderim, njëlloj si në tekstin “Ju zgjodhët nderin, Zotëri” (fq. 103-108) kushtuar librit Jetë e humbur të Ejëll Çobës, që “përmes dramës së vet, ka dhënë dramën e popullit të tij”.
GUXIMI PËRMES FORMAVE “INFORMALE”
Tek “Atlantida letrare”, Zija Çela largohet nga figura individuale, për të ndërtuar një udhëtim më të gjerë mbi humbjen dhe zhdukjet në kulturë. Atlantida, si metaforë e një bote të mbytur, shndërrohet në imazh të veprave, autorëve dhe traditave të ndërprera, që nga Eskili, Serembe, Tolstoi, Kafka, Balzaku, Gogoli, me të cilët autori shëtit nga Kalabria në Brazil, në Pragë e në Moskë. Vetë mikrolektura e shprehjes “kontinente të fundosura të fjalës” zbulon mendjen vrojtuese, që e sheh historinë letrare si vijë progresi dhe si territor fragmentar, ku shumëçka humbet, fundoset, zhduket prej gjithkundi, veç jo nga kujtesa. Zija Çela mendon për humbjet strukturore të kulturës sonë letrare. Përmbi simbolikën e fundosjes, Atlantida përfaqëson vepra, autorë dhe debate që janë zhdukur, fshirë ose mbuluar nga zhurma e ideologjive politike apo merkantile, që jo rrallë e sheh edhe librin, edhe autorin si mall. Shprehja “kontinente të fundosura të fjalës”, përveçse stil, është mënyrë për ta përfytyruar historinë letrare si muze fragmentesh, ku mungesa flet po aq sa prania. Të lexosh e të shkruash mbi “Atlantidat” e humbura të letërsisë, do të thotë të marrësh përgjegjësi ndaj asaj që rrezikon të zhduket, e kjo përgjegjësi ka të drejtën dhe detyrën që çdo përfytyrim, sikundërse edhe pohimet, ta përligjin ekzistencën.
Kjo ese e afron Çelën me ndjeshmërinë arkeologjike të asaj forme të esesë, që nuk kërkon të rindërtojë sisteme, kur nxjerr në dritë mbetjet, por synon domethëniet e tyre. Ese të tilla e të tjera të së njëjtës qasje, thellojnë dimensionin etik të librit. Ato tregojnë se për autorin kritika është akt interpretimi, po aq sa dhe akt kujtese e pranimi. Përmbi të qenurit “një libër i mirë eseistik”, “Koka mbi katror” është edhe një tjetër dëshmi se eseja letrare shqipe mund të jetë ajo që jo gjithmonë është. Pa hyrë në polemikë, duke lexuar kupton çka libri sjell, siç edhe ndjen atë që është e rrallë apo mungon si qasje në këtë lloj eseistike: guximin për të menduar edhe përmes formave “informale të kritikës”. Vërehet se shumë nga esetë bashkëkohore ndehen në njërin prej dy skajeve të qëndrimit. Ato ose shndërrohen në shkrime opinioniste me ambicie letrare minimale, ose janë tekste të ngurtësuara akademike, që flasin për letërsinë pa ia njohur gjuhën dhe pa dëgjuar zërin e saj. “Koka mbi katror” provon se kritika dhe qasja letrare nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Zija Çela rrezikon me vetëdije. Aty ku eseistika shqiptare kërkon siguri dhe konsensus, ai sheh një sfidë. Rrezikon në stil, në përfytyrim, në hamendësim, në gjykim, pasi jo çdo interpretim është i mbyllur, jo çdo hierarki është përfundimtare.
Praktikimi i esesë si art i leximit me tempo andante dhe si disiplinë e projektuar ndaj krijimtarisë së Tjetrit, të njeh me përgjegjësinë e autorit ndaj traditës dhe vëmendjen e tij ndaj bashkëkohores. Walter Benjamini na paralajmëroi se vepra e artit në epokën e riprodhimit mekanik humb aurën, emrat dhe titujt përdoren në shkallë industriale, që nxit heshtje komode. Pa iu kundërvënë dhe pavarësisht kësaj, “Koka mbi katror” pohon se tradita nuk është barrë, me atë dialogohet, ajo duhet lexuar, kundërshtuar, riinterpretuar dhe sjellë në jetë, sikurse edhe bashkëkohorja tashmë është dëshmuar, madje bindshëm. Dhe, në një klimë kulturore që shpesh kënaqet me shpejtësinë dhe sipërfaqen, që e zhvendos artin drejt rituales, ky libër përforcon idenë radikale të Borgesit që, kundrejt famës si shkrimtar, i dha përparësi identitetit si lexues, duke lejuar të tjerët të mburren me numrin e faqeve që kanë shkruar, për të thënë: “Faleminderit, preferoj të krenohem me ato që kam lexuar”.



