Raporti i 31-të mbi Migracionin i publikuar nga Fondazione ISMU ETS tregon se në periudhën 2015–2024 mbi 1.6 milionë persona kanë fituar shtetësinë italiane. Që nga viti 2022, numri i shtetësive të dhëna është rikthyer mbi 200 mijë në vit, pas një rënieje gjatë viteve 2017–2021 për shkak të faktorëve socio-politikë, pandemisë Covid-19 dhe ndryshimeve në procedura (si martesa).
Një rol në rritje kanë pasur të miturit dhe të rinjtë nën 20 vjeç, me mbi 620 mijë shtetësi në dekadë, çka dëshmon peshën gjithnjë e më të madhe të brezave të dytë – fëmijë emigrantësh të lindur ose rritur në Itali, që përfitojnë shtetësinë përmes prindërve ose me të drejtë zgjedhjeje në moshën madhore.
Sipas të dhënave të ISTAT, më 1 janar 2025 në Itali jetonin 5.898.000 shtetas të huaj, 143 mijë më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 5.371.000 janë rezidentë të regjistruar (9.1% e popullsisë), 188 mijë me qëndrim të rregullt por të paregjistruar dhe rreth 339 mijë në situatë të parregullt.
Shqiptarët dhe marokenët në krye për marrjen e shtetësisë
Gjatë viteve 2015–2024, komuniteti shqiptar dhe ai maroken kryesojnë për numrin e shtetësive të fituara, me përkatësisht rreth 299 mijë dhe 243 mijë persona. Pas tyre renditen rumunët (mbi 118 mijë), brazilianët (85 mijë), indianët (75 mijë), bangladeshasit (54 mijë), moldavët (49 mijë), argjentinasit (43 mijë), egjiptianët (33 mijë) dhe pakistanezët (32 mijë).
Raporti thekson se marrja e shtetësisë përmes qëndrimit të gjatë mbetet forma kryesore, ndërsa transmetimi nga prindërit tek të miturit është mënyra e dytë më e përhapur. Rritje ka shënuar edhe “ius sanguinis” (e drejta e gjakut), sidomos pas vitit 2022.
Ulje e kërkesave për azil, por rritje e refuzimeve
Në vitin 2024 u paraqitën rreth 151 mijë kërkesa për azil, ndërsa në 2025 numri ra në 126.630 (-16.2%). Megjithatë, në fund të vitit 2025 ishin mbi 234 mijë kërkesa në pritje. Refuzimet janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 70.2% në nëntë muajt e parë të 2025-ës.
“Nyja” e segregimit profesional dhe pagave të ulëta
Raporti evidenton si problem strukturor përqendrimin e 80% të punonjësve të lindur jashtë Italisë në segmente me kualifikim të ulët. Vetëm 7.5% e tyre janë në pozicione drejtuese apo profesione të kualifikuara, kundrejt 21.5% të italianëve.
Pagat mbeten dukshëm më të ulëta: në vitin 2024 paga mesatare vjetore e punonjësve jo-BE ishte 30.4% më e ulët se mesatarja kombëtare (17.015 euro kundrejt 24.449 euro). Si pasojë, 35.2% e familjeve vetëm me shtetas të huaj jetojnë në varfëri absolute, kundrejt 6.2% të familjeve italiane.
930 mijë nxënës me shtetësi jo-italiane
Në sistemin arsimor italian janë rreth 930 mijë nxënës me shtetësi jo-italiane, ose 11.6% e totalit. Mbi 60% e tyre janë të përqendruar në rajonet veriore. Lombardia kryeson me rreth 236 mijë nxënës, e ndjekur nga Emilia-Romagna dhe Veneto. Në nivel qyteti, Milano dhe Roma mbajnë numrin më të lartë të nxënësve të huaj.
Nxënësit vijnë nga afro 200 vende të botës: 43% nga Evropa (kryesisht Rumani, Shqipëri, Ukrainë, Moldavi), 32% nga Afrika (Marok, Egjipt, Tunizi), 20% nga Azia (Kinë, Indi, Pakistan, Bangladesh) dhe 8.5% nga Amerika Latine (Peru, Ekuador).
Në përfundim, raporti paralajmëron rrezikun e një disavantazhi strukturor që mund të trashëgohet edhe nga brezat e rinj, nëse nuk ndërmerren politika më efektive për integrim dhe mobilitet social.



