Trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, banues në Santa Vittoria d’Alba, në provincën italiane të Cuneos, u gjet pasditen e së premtes, më 20 shkurt 2026, në një parcelë toke pranë rrugës Chivola.
I riu u gjet pranë një automjeti “Lancia Ypsilon” me ngjyrë të zezë, i cili dyshohet të ketë qenë në pronësi të tij. Trupi u zbulua nga një drejtues mjeti që kalonte rastësisht në zonë dhe njoftoi menjëherë policinë.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar për shkaqet e vdekjes, por dyshohet se 25-vjeçari është qëlluar me një plumb në kokë. Arma nuk është gjetur në vendngjarje, ndërsa trupi ishte pjesërisht i mbuluar me rërë, çka shton dyshimet për një vrasje të mundshme.
Hetimet janë në zhvillim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët.



