Katër burra, të shpallur dy herë fajtorë për vrasjen “brutale” të refugjatit shqiptar Urim Gjabri gjatë një grabitjeje kanabisi në periferinë veriore të Adelaide-s, janë dënuar sërish me burgim të përjetshëm — më shumë se shtatë vjet pasi viktima u la “pa mëshirë” të vdiste.
Të dënuarit — Benjamin John Mitchell, 39 vjeç, Alfred Claude Rigney, 52 vjeç, Matt Bernard Tenhoopen, 30 vjeç dhe Aaron Donald Carver, 42 vjeç — u përballën vitin e kaluar me rigjykim, pasi dënimet e tyre fillestare për vrasjen e Gjabrit në Para Vista, në tetor 2018, u rrëzuan nga Gjykata e Lartë pas apelimit. Ata kanë apeluar sërish edhe vendimin e fundit të fajësisë dhe janë në pritje të vendimit përfundimtar.
Në shpalljen e dënimit në Gjykatën Supreme të Australisë së Jugut, gjyqtarja Julie McIntyre theksoi se, megjithëse Gjabri ishte “pa dyshim i përfshirë në veprimtari të paligjshme” lidhur me kultivimin hidroponik të kanabisit në banesë, “ai nuk e meritonte të vdiste”.
Sipas saj, “lakmia dhe dëshira për ta grabitur nga kanabisi” çuan në krim. Ajo shtoi se Gjabri ishte “një burrë shtatshkurtër, i paarmatosur dhe që paraqiste pak rrezik” për grupin.
“Nuk kishte asnjë nevojë që ai të sulmohej me aq brutalitet për të vjedhur kanabisin,” u shpreh gjyqtarja.
Nga provat rezultoi se viktima mori të paktën një goditje në kokë me një armë, e cila i theu kafkën. Më pas ai u la i vetëm për një kohë të gjatë, deri sa ndërroi jetë. Gjabri nuk mundi të kërkonte ndihmë, pasi autorët i kishin marrë makinën dhe telefonin.
“Ta linit atë në atë gjendje, ndërsa largoheshit me kanabisin dhe sendet e tij, ishte një veprim i pashpirt dhe tregoi shpërfillje të plotë për jetën njerëzore,” deklaroi gjyqtarja.
Trupi i tij u gjet vetëm disa ditë më vonë, ndërsa policia e trajtoi menjëherë ngjarjen si vrasje. Në arsyetimin e vendimit, gjyqtarja tha se ishte provuar “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” se ekzistonte një plan mes katër të pandehurve dhe një personi tjetër për të grabitur kanabisin e Gjabrit, duke përfshirë edhe “përdorimin e mundshëm të armës për të sulmuar banorin”.
Megjithëse nuk u arrit të përcaktohej se cili prej tyre dha goditjen fatale, gjykata theksoi se si pjesë e marrëveshjes për grabitje, secili kishte pranuar përdorimin e një akti të qëllimshëm dhune të natyrës që çoi në vdekjen e tij.
Urim Gjabri ishte baba i tre fëmijëve dhe kishte emigruar në Australi për të punuar dhe për të mbështetur bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët jetojnë në Shqipëri. Sipas gjykatës, vdekja e tij ka pasur pasoja shkatërruese emocionale dhe financiare për familjen.
Katër të pandehurit u shpallën fillimisht fajtorë në vitin 2020 dhe u dënuan me burgim të përjetshëm, me një periudhë minimale prej 20 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht. Gjyqtarja McIntyre vlerësoi se kjo periudhë mbetet e përshtatshme, duke theksuar se, ndonëse ishte një “humbje tronditëse e jetës njerëzore”, rasti nuk hynte në kategorinë më të rëndë të vrasjeve të paramenduara apo të kryera me gjakftohtësi.
Për shkak të kohës së ndryshme të vuajtur në paraburgim dhe në arrest shtëpie mes dy gjykimeve, secili prej të dënuarve ka periudha të ndryshme të mbetura për të plotësuar para se të mund të kërkojnë lirimin me kusht.
Apeli i tyre i fundit është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndërsa vendimi pritet të shpallet në një datë të mëvonshme.

https://www.abc.net.au/news/2026-02-17/adelaide-albanian-refugee-murder-resentencing/106353932



