Piktorët janë ata që arrijnë të thonë me ngjyra atë që fjalët nuk munden. Ata nuk krijojnë thjesht vepra, por botë të reja. Në këtë plejadë artistësh të dekadave të fundit spikat emri i Leonidha Bullgarit, një nga piktorët më të njohur të artit pamor shqiptar, me një karrierë të konsoliduar si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.
I lindur më 16 qershor 1963 në Fier, në një familje ku arti ishte pjesë e përditshmërisë, Bullgari e nisi rrugëtimin e tij artistik herët. U diplomua në vitin 1982 në Instituti i Arteve të Bukura, duke pasur si mentorë në fëmijëri vëllain e tij Viktorin dhe gjatë studimeve piktorin Naxhi Bakalli. Ekspozitën e parë personale e çeli në vitin 1988 në Ballsh, ndërsa sot numëron mbi 15 ekspozita personale.
Diapazoni i krijimtarisë së tij është i gjerë dhe shumëdimensional. Fillimisht i lidhur me realizmin, më pas ai eksperimentoi me impresionizmin dhe kubizmin, gjithmonë në kërkim të një gjuhe personale artistike. Integrimi në jetën artistike greke konsiderohet prej tij një nga arritjet më të mëdha, pasi i dha mundësinë të zhvillohej në një mjedis ndërkombëtar dhe të pasuronte vizionin e tij krijues. Në studion që ngriti në Athinë, ai realizoi shtatë ekspozita brenda shtatë viteve, duke fituar vlerësime të shumta nga kritika greke, e cila e ka krahasuar madje me Pikasos.
Një vend të veçantë në veprën e Bullgarit zë trajtimi i mitologjisë greke, përmes cikleve artistike që ndërthurin mitin me realitetin modern. Disa prej punimeve të tij janë pjesë e koleksioneve të njohura në Greqi, duke e vendosur atë në një rang të lartë artistik. Krahas pikturës, ai ka kontribuar edhe në skenografinë e shfaqeve teatrale të Trupës Profesionale “Aleksandër Moisiu” të komunitetit shqiptar në Athinë.
Për kontributin e tij në promovimin e artit shqiptar në diasporë, Leonidha Bullgari është dekoruar me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”, një vlerësim që dëshmon për përkushtimin dhe ndikimin e tij në forcimin e vetëdijes kombëtare përmes artit.
Leonidha Bullgari mbetet një artist që meriton respekt e vlerësim, jo vetëm për veprën e tij të pasur, por edhe për rolin e tij si ambasador i kulturës shqiptare përtej kufijve.



