Dy grupe të rinjsh shqiptarë u përfshinë në dy përleshje të dhunshme në qendër të kryeqytetit grek, duke lënë pas 26 persona të implikuar dhe 8 të arrestuar.
Sipas mediave greke, tre persona mbetën të plagosur rëndë me thikë në pjesën e gjoksit, në afërsi të zemrës, duke rrezikuar jetën. Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spital, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
“Një total prej 26 personash, anëtarë të dy grupeve të ndara që vepronin me disiplinë ushtarake, zgjidhën mosmarrëveshjet e tyre në Kato Patisia. Tre prej tyre përfunduan të plagosur rëndë në spital, pasi u goditën me thikë në gjoks, pranë zemrës”, raportojnë mediat greke.
Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti të ndodhur dy ditë më parë jashtë lokalit “Beat”, ku shtetasi shqiptar Enki Xhalli ishte rrahur nga Xhesildo Gruda dhe Ioannis Panagiotis Polymenos. Dy ditë më vonë, grupet e drejtuara nga Xhalli dhe Gruda, i njohur me pseudonimin “Cico”, u përballën sërish për të “zgjidhur” mosmarrëveshjen.
Sipas dëshmive të të arrestuarve në Policinë e Sigurisë së Athinës, konflikti fillestar lidhej me një vajzë. Megjithatë, hetimet po shqyrtojnë edhe një pistë më të rëndë, atë të kontrollit të trafikut të drogës, pasi gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve u gjetën lëndë narkotike dhe armë të ftohta.
Policia sekuestroi 97 gramë marijuanë, 51 gramë metamfetaminë, një pistoletë manovër, 6 thika si dhe sende të tjera të paligjshme.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e përgjegjësive penale të personave të përfshirë.



