Në një seancë plenare të zhvilluar sot, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të përbashkët në mbështetje të pafajësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe udhëheqësve të saj, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Deklarata, e hartuar nga deputetët Igli Hasani dhe Tritan Shehu, u hodh nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në nisje të seancës dhe u lexua nga Hasani. Ajo nënvizon se lufta e UÇK-së ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, e drejtuar për mbrojtjen e të drejtave themelore, lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës, duke respektuar të drejtat ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Kuvendi shpreh shqetësim për kërkesën e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë për dënime deri në 45 vjet burg për secilin prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke paralajmëruar rrezikun e barazimit të luftës legjitime çlirimtare me krimet e regjimit të Millosheviçit.
“Për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pacenueshme për drejtuesit e UÇK-së, të cilët përfaqësojnë aspiratat e drejtësisë dhe të lirisë së popullit të Kosovës,” thuhet në deklaratë.
Dokumenti gjithashtu bën thirrje drejtuar Dhomave të Specializuara, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë, që të konfirmojnë pafajësinë e udhëheqësve të UÇK-së përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm.
Kuvendi vlerësoi gjithashtu dëshmitarët ndërkombëtarë Wesley Kanne Clark dhe James Rubin, të cilët kanë konfirmuar të drejtën e popullit të Kosovës për liri.
Deklarata do të dërgohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Parlamentin Evropian, Asamblenë Parlamentare të NATO-s, OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe qeveritë mike, ndërsa Kuvendi i bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, Kosovës dhe diasporës shqiptare të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës çlirimtare.



