Disa përdorues shqiptarë në platformën TikTok po shpërndajnë video dhe mesazhe ku u mësojnë punëtorëve pa dokumente si të shmangin ose t’u rezistojnë kontrolleve të autoriteteve britanike të emigracionit dhe policisë gjatë bastisjeve në biznese.
Postimet u bëjnë thirrje emigrantëve ilegalë të “mos bashkëpunojnë me autoritetet”, të refuzojnë përgjigjen ndaj pyetjeve, të filmojnë oficerët e emigracionit dhe policinë, si dhe t’i sfidojnë ata për arsyet pse po kontrollojnë persona të caktuar.
Këto këshilla në rrjetet sociale vijnë në një kohë kur qeveria britanike, nën drejtimin e Partisë Laburiste, ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që dyshohet se punësojnë emigrantë pa dokumente. Fushata synon të godasë tregun e zi të punës, i cili konsiderohet si një nga faktorët nxitës të migrimit ilegal drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Në një video shoqëruese, një grua shqiptare, e cila thotë se ka marrë shtetësinë britanike, u bën thirrje emigrantëve të jenë të kujdesshëm: “Kini gjithmonë një plan daljeje dhe sigurohuni që të mos tradhtoheni nga njerëzit përreth vendit ku punoni”. Ajo i krahason kontrollet në Britani me veprimet e agjentëve të emigracionit në SHBA (ICE), duke paralajmëruar se “e njëjta gjë po ndodh edhe këtu”.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 autoritetet britanike zhvilluan një numër rekord prej 12 800 kontrolleve, 58 për qind më shumë se një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar u arrestuan mbi 9 000 punëtorë pa dokumente, ndërsa 1 087 persona u deportuan nga vendi. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se restorantet, lokalet e ushqimit të shpejtë dhe kafenetë janë sektorët me shkeljet më të shpeshta, me mbi 2 500 arrestime.
Një nga autorët kryesorë të këtyre postimeve është Edlira Meshau, 44 vjeçe, e cila ka mbërritur në Britani si azilkërkuese në vitin 1999. Ajo menaxhon një llogari në TikTok me emrin “It’s King Lira”, e cila numëron rreth 28 mijë ndjekës dhe mbi 760 mijë pëlqime. Në një nga mesazhet e saj ajo deklaron: “Ky mesazh është për të gjithë shqiptarët në Londër, me apo pa dokumente”.
Në postime të tjera, emigrantëve u bëhet thirrje të bashkohen për t’u rezistuar kontrolleve, të informojnë njëri-tjetrin, të largohen nga vendi i kontrollit nëse dëshirojnë dhe të filmojnë veprimet e autoriteteve. Gjithashtu, shpërndahen numra telefoni të organizatave që ofrojnë ndihmë për emigrantët e ndaluar, si dhe informacione mbi zonat më të prekura nga kontrollet.
Në një prej mesazheve theksohet se arrestimet janë rritur me 83 për qind dhe se komunitetet më të prekura janë ato të Azisë Jugore, shqiptarët dhe rumunët. “Ruajeni këtë video. Do t’ju duhet, sepse autoritetet nuk marrin gjithmonë parasysh të drejtat tuaja”, thuhet në përfundim të postimit.
Ministria e Brendshme britanike është kontaktuar për koment lidhur me këtë çështje.



