Ka nisur zbatimi konkret i një projekti të rëndësishëm arsimor dhe zhvillimor për të rinjtë e Bujanocit, i cili synon fuqizimin e tyre me aftësi bashkëkohore dhe të kërkuara në tregun e punës. Ajo që deri dje ishte vetëm ide dhe planifikim, tashmë është shndërruar në veprim konkret në terren.
Në ambientet e Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” kanë filluar trajnimet e para, ku nxënësit po përfitojnë njohuri praktike në fushën e informatikës dhe programimit. Trajnimet po zhvillohen nga profesionistë të fushës dhe janë të orientuara drejt praktikës, duke i pajisur të rinjtë me dije funksionale dhe aftësi digjitale që u nevojiten për sfidat e sotme dhe të së nesërmes.
Projekti po realizohet me mbështetjen e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi, një bashkëpunim që i jep nismës seriozitet, qëndrueshmëri dhe garanci për vazhdimësi. Ky angazhim i përbashkët institucional synon krijimin e mundësive reale për zhvillimin profesional të të rinjve në vendin e tyre.
Qëllimi i projektit është i qartë: përgatitja e brezit të ri për një treg pune në ndryshim të vazhdueshëm, ku aftësitë digjitale, logjika, kreativiteti dhe përgatitja praktike janë thelbësore. Përmes kësaj nisme, të rinjtë e Bujanocit po marrin mundësinë të zhvillojnë kompetenca moderne, pa qenë të detyruar të largohen nga vendlindja për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Nga ana e Komunës së Bujanocit theksohet se mbështetja për të rinjtë do të vijojë edhe në të ardhmen. Synimi është që ata të mësojnë, të zhvillohen dhe të krijojnë perspektivë profesionale në vendin e tyre, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e komunitetit lokal.
Ky projekt shënon vetëm hapin e parë në një proces më të gjerë investimesh në dije dhe rini, të cilat konsiderohen si garancia më e sigurt për të ardhmen e Bujanocit. Angazhimi institucional dhe puna konkrete pritet të vazhdojnë edhe në fazat e ardhshme të projektit.



