Viktima e një vrasjeje të rëndë me hanxhar në një garsoniere në qytetin e York-ut ishte emigranti shqiptar Indrit Mustafaj, u bë e ditur gjatë seancave në Gjykatën e Kurorës në Leeds. Sipas dëshmive në gjykatë, i riu kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar të ardhura për familjen e tij në Shqipëri.
Indrit Mustafaj ishte larguar nga vendlindja në moshë të re, pasi babai i tij vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte i paaftë për punë. Ai kishte udhëtuar i vetëm drejt Anglisë me synimin për të punuar dhe për të ndihmuar financiarisht prindërit dhe dy motrat e tij. Sipas familjarëve, ai nuk i kishte parë më të afërmit që nga dita e largimit dhe kishte kaluar nëntë vite duke kursyer për të siguruar një biletë kthimi, me qëllim që t’i surprizonte me një vizitë. Ai u vra vetëm një muaj para se të mbushte 27 vjeç.
Vdekja e tij ka lënë familjen të shkatërruar emocionalisht dhe financiarisht. Në një deklaratë prekëse, familjarët shprehën dhimbjen e tyre të thellë: “Zgjohemi çdo ditë me dhimbje dhe flemë me pyetje. Ndikimi mbi ne është i paimagjinueshëm. Ai ishte i sjellshëm, i butë, ishte dashuria e jetës sonë.” Lajmi i vdekjes tronditi rëndë edhe nënën e tij, e cila, sipas familjarëve, tani “jeton në heshtje”.
Megjithatë, familja deklaroi se nuk ndien urrejtje ndaj autorëve të krimit, por kërkon drejtësi për humbjen e djalit të tyre.
Gjykata dëgjoi se për të paktën një javë para vrasjes, Indrit Mustafaj udhëtonte çdo ditë nga Bradfordi në York, ku qëndronte në një garsoniere në rrugën Vyner, pranë Haxby Road. Sipas dëshmive, në banesë ai merrte telefonata, ndërsa një burrë dhe një grua nga Yorku dilnin për të shitur drogë në rrugë.
Në momentin e sulmit, autorët e krimit, të armatosur me një levë hekuri, hynë me forcë në banesë. Sipas hetimeve, Mustafaj mbante shpesh me vete një hanxhar, i cili ndodhej mbi shtrat dhe u përdor nga sulmuesit për ta vrarë.
Pas dënimit me burg të Michael Mulvana, 32 vjeç, dhe Jobie Tyers, 35 vjeç, drejtuesja e hetimeve, Fran Naughton, deklaroi se viktima me shumë gjasë e mbante hanxharin për vetëmbrojtje. Ajo theksoi se mbajtja e armëve të ftohta shpesh përfundon në pasoja tragjike, duke lënë pas dhimbje të thellë për familjarët e viktimave.



