Pesë shtetas shqiptarë janë dënuar me burg për trafik droge në jug të Cumbria-s.
Katër prej tyre u dënuan dje, më 3 shkurt, në Gjykatën e Prestonit për posedim të drogës klasë A me qëllim shpërndarjeje.
Të dënuarit janë:
Erald Sulaj, 22 vjeç, nga Dacre Gardens, Boreham Wood – 33 muaj burg.
Ergys Elezi, 22 vjeç, pa adresë të përhershme – 30 muaj burg.
Sokratis Lleshaj, 21 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 24 muaj burg.
Perlat Hamza, 36 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 32 muaj burg.
Një i pestë, Egzon Doci, 31 vjeç, nga Roxeth Hill, Harrow, ishte dënuar më 16 prill 2025 me dy vite e tre muaj burg pasi pranoi posedimin e kokainës me qëllim shpërndarjeje. Pas dënimit, Doci u deportua në Shqipëri.
Hetimet zbuluan se më 14 mars 2025, policia në Story Square, Barrow, vuri re dy burra që silleshin në mënyrë të dyshimtë në një rrugicë. Doci u përpoq të largohej duke u ngjitur mbi gardhe, por u kap nga policia. Një kalimtar vuri re se ai kishte hedhur diçka mbi çatinë e një ndërtese, që më pas u zbulua të ishte një çorap me pako kokainë.
Policia kreu një kontroll në banesën e Doci-t në Rawlinson Street, ku gjeti më shumë kokainë, afërsisht 1,000 paund para dhe qese të vogla për paketim.
Më 1 maj 2025, në Devonshire Road, Barrow, Lleshaj u ndalua pasi dështoi testin për kokainë dhe kanabis gjatë një kontrolli rrugor. Policia gjeti edhe pako kokainë në xhepin e tij. Gjatë kontrollit të banesës së tij, u arrestua edhe Hamza, i cili po mbante drogë. Në banesë u gjetën gjithsej 34 pako të mbështjella me kokainë, 16 prej të cilave ishin fshehur në një çorap nën dyshekun e një krevati dopio, si dhe para të gatshme. Të dy u akuzuan për posedim të drogës me qëllim shpërndarjeje.
Më 21 korrik 2025, Sulaj dhe Elezi u ndaluan në M1, Northamptonshire, dhe u arrestuan për dyshimin se ishin të përfshirë në shpërndarjen e drogës klasë A në jug të Cumbria-s, duke përfshirë Doci, Lleshaj dhe Hamza. Në të njëjtën ditë, policia kreu një kontroll në një adresë në Kingston-upon-Thames, Londër, ku u gjetën rreth 3oz kokainë me vlerë rreth 9,000 paund dhe më shumë se 20,000 paund para të gatshme. Gjithashtu u sekuestruan dokumente personale të Sulaj dhe Elezi-t dhe shënime me emrin e Lleshaj.
Një zëdhënës i Njësisë së Krimit të Organizuar tha:
“Ky rezultat i Gjykatës filloi me vëzhgimin e kujdesshëm të oficerëve në rrugë, arrestimet e mëtejshme dhe një hetim të detajuar që përfshiu kontrolle në të gjithë vendin. Dënimi i sotëm tregon se policia e Cumbria-s do të veprojë ndaj çdo individi ose grupi që mendon se mund të vendoset në rajon për të kryer veprimtari kriminale dhe për të shfrytëzuar përdoruesit e drogës.”
https://cumbriacrack.com/2026/02/04/men-jailed-for-drug-dealing-operation-in-south-cumbria/



