Një shtetas shqiptar është dënuar me tetë vite burg të formës së prerë nga Gjykata Penale e Nicës, pasi u kap nga doganat franceze duke transportuar mbi 18 kilogramë kokainë të fshehura në automjetin e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 3 dhjetor, në pikën e pagesës së autostradës në La Turbie, ku doganierët ndaluan për kontroll një automjet tip Opel. Gjatë kontrollit të imtësishëm, nën dyshemenë në anën e shoferit u zbulua një hapësirë e posaçme e modifikuar, brenda së cilës ndodheshin 16 pako kokainë, me një peshë totale mbi 18 kilogramë.
Sipas autoriteteve franceze, sasia e drogës së sekuestruar kap vlerën mbi 1.2 milionë euro, duke u bazuar në çmimin mesatar të shitjes së kokainës, rreth 65 euro për gram, sipas të dhënave të Zyrës Franceze për Drogat dhe Tendencat e Varësisë.
Në timon ndodhej një shqiptar 34-vjeçar, baba i dy fëmijëve të mitur. I ndaluar dhe vendosur në paraburgim, ai pranoi menjëherë se kishte transportuar lëndën narkotike, por refuzoi të jepte çdo informacion lidhur me rrjetin kriminal që qëndronte pas saj. Ai nuk pranoi të zbulojë as emra dhe as kodin e telefonit të tij celular.
Autoriteteve doganore ai u shpjegoi se e kishte pranuar këtë transport për shkak të vështirësive financiare, duke këmbëngulur se ishte hera e parë që përfshihej në një veprimtari të tillë.
“Jam i dobët dhe kisha nevojë për para”
Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri u përpoq të bindte trupën gjykuese se ishte thjesht një hallkë e dobët në zinxhirin e trafikut. Ai deklaroi se automjeti i tij, i blerë disa muaj më parë nga i njëjti rrjet, ishte marrë prej tyre në kufirin spanjoll dhe më pas i ishte kthyer i ngarkuar me drogë, pa dijeninë e tij të plotë.
Sipas tij, ai pritej të përfitonte mes 4 mijë dhe 5 mijë euro për transportimin e drogës drejt Italisë, pa marrë asnjë pagesë paraprake. “Rashë në këtë situatë sepse isha psikologjikisht i dobët dhe kisha nevojë për para”, deklaroi ai para gjykatës.
Udhëtime të shpeshta jashtë vendit
Megjithatë, hetimet hodhën poshtë këtë version. Analiza e telefonit të tij tregoi se që prej blerjes së automjetit, në muajin shtator, ai kishte kryer shumë udhëtime jashtë Francës, përfshirë Spanjën, Italinë, Belgjikën dhe Gjermaninë.
“Këto lëvizje nuk përputhen lehtësisht me pretendimet për vështirësi financiare”, vuri në dukje kryetari i trupës gjykuese, Alexandre Julien. I pandehuri u përpoq t’i justifikonte udhëtimet si vizita familjare, blerje cigaresh në Spanjë apo kërkim pune në Gjermani dhe Belgjikë, duke pranuar se nuk ishte i sigurt nëse i kishte kryer të gjitha me të njëjtin automjet.
“Kam frikë për jetën time”
Në një pikë, ai mbeti i palëkundur: refuzoi kategorikisht të tregonte se si kishte hyrë në kontakt me trafikantët. “Ata më blenë makinën. Një ditë para arrestimit më kërkuan të shkoja në Spanjë për të marrë drogën. Por nuk dua të flas për këta njerëz. Kam frikë për jetën time, janë persona të rrezikshëm”, deklaroi ai, dukshëm i tensionuar.
34-vjeçari jeton në Francë prej dhjetë vitesh dhe gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme, pasi kishte dëshmuar në çështjen e vrasjes së kushëririt të tij. Mbrojtja e përdori këtë fakt për të argumentuar frikën e tij nga hakmarrja.
Nga ana tjetër, për prokurorinë dhe doganat, refuzimi për të bashkëpunuar dhe shpeshtësia e udhëtimeve krijojnë një tablo që shkon përtej një transporti të rastësishëm. “Fillimisht ai heshti për këto udhëtime, sot përpiqet t’i shpjegojë ndryshe. Të dhënat e telefonit e vendosin disa herë pranë kufijve spanjollë, italianë dhe gjermanë”, theksoi prokurori.
Avokati i të pandehurit kërkoi që klienti i tij të trajtohej si një “korrier droge”, duke i kërkuar gjykatës të fokusohej vetëm në transportin e 3 dhjetorit dhe të merrte parasysh situatën familjare dhe mungesën e precedentëve penalë.
Gjykata nuk e pranoi këtë argument. Duke e cilësuar çështjen si “jashtëzakonisht të rëndë”, ajo e dënoi shqiptarin me tetë vite burg, më shumë se pesë vitet e kërkuara nga prokuroria. Gjithashtu, atij iu ndalua hyrja në territorin francez për dhjetë vite dhe iu vendos një gjobë doganore prej 654.500 eurosh.



