Një shtetase shqiptare i ka shpëtuar përkohësisht deportimit nga Mbretëria e Bashkuar, pasi një tribunal i lartë gjyqësor pranoi se bashkëshorti i saj mund të ketë qenë përgjegjës për gënjeshtrat e bëra gjatë procesit të natyralizimit, shkruan gazeta britanike The Telegraph.
Fatmire Isaku kishte aplikuar tri herë për shtetësi britanike, pasi kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me bashkëshortin e saj, Islam Isaku. Të tre aplikimet u refuzuan, pasi ajo nuk kishte deklaruar precedentët penalë lidhur me një dënim për grabitje.
Po ashtu, Isaku kishte deklaruar se ishte lindur në vitin 1958 në Prishtinë, në përpjekje për të përfituar mbrojtje në territorin britanik, ndërkohë që rezultoi se kishte lindur në Tiranë në vitin 1952. Në tetor të vitit 2011, ajo paraqiti një aplikim të katërt për natyralizim, i cili u miratua një vit më pas. Në të njëjtën periudhë, edhe tre fëmijët e çiftit përfituan shtetësinë britanike përmes procesit të natyralizimit.
Megjithatë, pasi autoritetet zbuluan se çifti ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jo nga Kosova, Ministria e Brendshme britanike vendosi t’u hiqte nënshtetësinë. Në vijim, Fatmire Isaku nisi një betejë ligjore duke kundërshtuar vendimin për heqjen e së drejtës së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Apeli i saj fillimisht u rrëzua nga një gjykatë më e ulët e emigracionit, por vendimi është shfuqizuar së fundmi nga një tribunal më i lartë, i cili urdhëroi që çështja të rishqyrtohet nga një gjykatës tjetër. Sipas këtij vendimi, pranohet se bashkëshorti i saj mund “të ketë nxitur dhe mbikëqyrur” deklarimet e rreme.
Avokati i Isakut argumentoi se klientja e tij vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor, çka sipas tij tregon se ajo “nuk ishte e përfshirë në mënyrë aktive në mashtrim”, një element që, sipas mbrojtjes, nuk ishte marrë në konsideratë nga gjykata e mëparshme.
Gjykatësi, Jonathan Perkins, theksoi se raportet mjekësore dëshmojnë se problemet e shëndetit mendor kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme të Fatmires. Sipas tij, ishte e domosdoshme të vlerësohej se deri në çfarë mase këto probleme mund të kenë ndikuar në perceptimin dhe përgjegjësinë e saj gjatë procesit të aplikimit.
“Ndërsa mashtrimi është provuar, nuk është e qartë nëse gjykatësi i mëparshëm ka analizuar siç duhet shkallën e fajësisë dhe ndikimin e gjendjes mendore në këtë rast. Për këtë arsye, konstatojmë se është bërë një gabim në gjykim”, thuhet në vendimin e tribunales.
Çështja pritet të rishqyrtohet, ndërsa vendimi përfundimtar mbi qëndrimin e Fatmire Isakut në Mbretërinë e Bashkuar mbetet ende i hapur.



