Autoritetet konsullore në Britani kanë njoftuar se të gjithë qytetarët që kanë përfunduar procesin e aplikimit për pasaporta biometrike dhe karta identiteti deri më 23 janar 2026, tashmë mund të tërheqin dokumentet e tyre, pasi ato kanë mbërritur.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi i aplikimit konsiderohet i përfunduar për ata qytetarë që kanë dhënë shenjat e gishtave dhe fotografinë biometrike deri në këtë datë. Qytetarët janë njoftuar përmes email-it dhe mesazheve telefonike, veçanërisht ata që kanë zgjedhur shërbimin postar gjatë aplikimit.
Shpërndarja e dokumenteve në konsullatë do të kryhet nga e hëna në të premte, në orarin 09:00–16:00. Për tërheqjen e pasaportës ose kartës së identitetit, qytetarët duhet të paraqesin kuponin e aplikimit.
Ndërkohë, dokumentet do t’u dërgohen me postë të gjithë qytetarëve që kanë bërë kërkesë për këtë shërbim gjatë procesit të aplikimit në konsullatë. Kodi i gjurmimit “Tracking for Royal Mail Special Delivery” është dërguar përmes mesazhit telefonik, ose pritet t’u dërgohet ditën e hënë.
Autoritetet rikujtojnë se të gjitha kartat e identitetit që dërgohen me postë janë të paaktivizuara elektronikisht dhe nuk mund të përdoren për shërbime bankare në Shqipëri, pa u kryer më parë procesi i aktivizimit.



