Ministri grek i Imigracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, prezantoi në komisionin parlamentar një projektligj të ri që synon kufizimin e emigracionit të paligjshëm, forcimin e kanaleve të imigracionit të ligjshëm dhe integrimin e emigrantëve në tregun e punës.
Projektligji, me titull “Promovimi i politikave të imigracionit të ligjshëm, integrimi i Direktivës (BE) 2024/1233, ndryshime në Kodin e Imigracionit dhe dispozita të tjera”, parashikon një procedurë të vetme aplikimi për leje qëndrimi dhe pune për shtetasit e vendeve të treta, si dhe një paketë të përbashkët të drejtash për punëtorët që banojnë ligjërisht në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
Duke prezantuar projektligjin, Plevris theksoi se ai mbart një karakter të qartë ideologjik, në përputhje me linjën politike të qeverisë.
“Po ngremë një gardh të madh për emigracionin e paligjshëm dhe po krijojmë një derë të vogël për emigracionin e ligjshëm”, deklaroi ministri.
Një nga pikat kyçe të projektligjit është lidhja e azilit me punësimin, duke kufizuar përfitimet sociale për ata që janë të aftë për punë. Sipas ministrit, përfituesit e azilit do të drejtohen drejt tregut të punës dhe nuk do të jetojnë më vetëm nga ndihmat shtetërore.
“Po i shkurtojmë përfitimet. Shko në punë, përndryshe largohu nga Greqia. Logjika ‘unë e ushqej dhe i jap ujë’ është e gabuar”, u shpreh Plevris, duke shtuar se gjatë periudhës së vlefshmërisë së azilit, emigrantët do të jenë të detyruar të punojnë.
Projektligji përfshin gjithashtu masa më të ashpra kundër rrjeteve të trafikimit të emigrantëve, përfshirë dënime më të rënda për persona që, edhe pse anëtarë të OJQ-ve, rezultojnë të përfshirë në trafikim të paligjshëm. Ministri theksoi se nuk kriminalizohet veprimtaria e OJQ-ve në tërësi, por vetëm përfshirja në veprime të paligjshme.
“Unë nxjerr ligje kundër trafikantëve dhe i urrej ata”, deklaroi ai, duke shtuar se OJQ-të duhet të jenë të parat që të mbështesin ndëshkimin e anëtarëve të përfshirë në rrjete kriminale.
Një tjetër dispozitë e rëndësishme lidhet me revokimin e lejes së qëndrimit për punë, në rast se përfituesi mbetet i papunë. “Leja jepet për vende konkrete pune. Nëse nuk ka punë, atëherë leja do të tërhiqet”, theksoi ministri.
Z. Plevris njoftoi gjithashtu se po shfuqizohet praktika e caktimeve të drejtpërdrejta të projekteve për OJQ-të, pa konkurs, pas vërejtjeve të Gjykatës së Auditorëve për shkelje të legjislacionit evropian.
Në lidhje me politikat e kthimit, ministri deklaroi se Greqia është në bisedime me katër vende të tjera për krijimin e qendrave të kthimit jashtë Evropës, ku do të transferohen emigrantët që nuk mund të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Sipas tij, masat e marra tashmë kanë sjellë ulje të ndjeshme të flukseve migratore, veçanërisht në pesë muajt e fundit të vitit 2025.



