Shqiptarët Elton Hallaci, 32 vjeç, dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, të dy banues në Liverpool, janë shpallur fajtorë si anëtarë të një grupi kriminal të organizuar që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Meksika në Mbretërinë e Bashkuar, përmes valixheve të transportuara me avion.
Sipas hetimeve të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), rrjeti kriminal përdorte korrierë amerikanë, të cilët fluturonin drejt Britanisë pa bagazh dhe prisnin mbërritjen e valixheve të dërguara me fluturime të ndara nga destinacione si Kankuni dhe Barbadosi.
Korrierët ndiqnin udhëzime të detajuara përmes mesazheve nga një organizator amerikan i identifikuar si “Nate”, i cili i drejtonte për të marrë valixhe specifike nga karuselet e bagazheve në Aeroportin e Mançesterit. Më pas, droga dorëzohej te bashkëpunëtorët me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Vitin e kaluar, shtatë shtetas amerikanë u dënuan me burg për rolin e tyre si korrierë në këtë skemë kriminale.
Më 11 maj 2024, tetë valixhe mbërritën në Aeroportin e Mançesterit. Pesë prej tyre iu dorëzuan Hallacit dhe Iseberit, ndërsa dy të tjera Dale Hosker-it, 49 vjeç, nga Bury. Një valixhe e lënë pas nga një korrier u hap nga oficerët e Forcave Kufitare, ku u zbuluan 20 kilogramë kokainë.
Hetimet zbuluan se vetëm atë ditë, shqiptarët morën në dorëzim rreth 100 kilogramë kokainë.
Disa javë më vonë, më 31 maj, një tjetër ngarkesë prej 300 kilogramësh kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rruge rreth 24 milionë paundë, u kontrabandua në Mançester në 12 valixhe. Vetëm një korriere arriti të shmangte ndalimin dhe dorëzoi drogën në një adresë në Bury, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua nga autoritetet. Çdo valixhe përmbante 22–24 blloqe kokaine dhe pajisje gjurmimi.
Përveç dy shqiptarëve, në këtë çështje u përfshinë edhe Dale Hosker dhe Dale Creen, 34 vjeç, nga Salford, anëtarë të një grupi të dytë kriminal të organizuar që merrej me shpërndarjen e drogës në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Tre prej të pandehurve pranuan fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Bolton, ndërsa një i katërt u shpall fajtor pas vendimit të jurisë. Të katërtit u arrestuan më 17 qershor 2025, ndërsa NCA deklaroi se provat kundër tyre ishin të pakundërshtueshme.



