Nga Beqir Sina, New York
Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Shefi i Misionit Ambasadori Blerim Reka dhe Mark Gjonaj – Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare – organizuan një tubim përkujtimor të veçantë.
Aktivitet i cili morën pjesë aktivistë të komunitetit, përfaqësues të shoqatave shqiptare të Nju Jorkut dhe disa pjesëtarë të Batalionit Atlantik, përfshirë ish-komandantin Gani Shehu, të cilët u mblodhën për të nderuar viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, dhe për të ripërsëritur thirrjen për ndëshkim ndërkombëtar të autorëve të krimeve, të klasifikuara si të tilla nga Konventa e OKB-së.
Sipas njoftimit zyrtar të Konsullatës, së Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Reka dhe Mark Gjonaj të cilët dhe e drejtuan eventin rikujtuan faktet e hidhura që ende presin drejtësi: Serbia vrau 13,950 shqiptarë, përdhunoi mbi 20,000 qytetarë e qytetare të Kosovës dhe ende nuk janë gjetur rreth 1,620 persona të zhdukur me forcë.
“Këto shifra nuk janë thjesht statistika ato janë dëshmi e një tragjedie sistematike, që synoi shfarosjen e një populli të tërë.” citohet të ketë thënë ambasadori Reka.
Në këtë ngjarje foli edhe aktivisti Shpëtim Qorraj, një nga themeluesit e American Albanian Association of Kosovo dhe kryetari i saj, i cili me anëtarë të shoqatës, iu bashkua komunitetit në konsullatë për të kujtuar viktimat e luftës në Kosovë.
“Për mua kjo nuk është histori, është jeta ime,” tha ai me emocion në një shënim në faqen e tij të facebook. Ai me këtë rast thuhet se ka nderuar anëtarët e familjes së tij të vrarë: babanë hero Mustafë Qorraj që luftoi dhe ra dëshmor që ne të jetojmë të lirë; gjyshin e plagosur që qëndroi trimërisht në shtëpinë e vet; profesorin e tij Ajet Beqiri dhe Shukri Qorrajn; Bekë Imerajn dhe familjen e tij, përfshirë djalin e vogël Afrim që ishte vetëm një vjeç; si dhe pleqtë e ekzekutuar dhe të djegur.
“Ne duhet t’ia tregojmë botës çfarë ndodhi dhe të mbajmë përgjegjës çdo kriminel,” ka përfunduar ai.
Në këtë tubim sipas njoftimit folën edhe ish-komandanti i Batalionit Atlantik, Gani Shehu, si dhe aktivistë të tjerë të komunitetit shqiptar në Nju Jork: Të gjithë bashkë përforcuan të njëjtin mesazh: kujtimi i viktimave nuk zbehet me kohë, por mbetet një detyrim i përhershëm për drejtësi dhe dinjitet.
Ky përkujtim në diasporë tregon forcën e bashkimit të komunitetit me ish-luftëtarët e Batalionit Atlantiku, te familjarët e dëshmorëve të Kosovës, te aktivistët e komunitetit që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, deri sa ajo të vejë në vendin e saj.
Pavarësisht kalimit të viteve, zërat në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, iu bashkuan edhe një herë zërave të komunitetit shqiptar në SHBA-ës, të vazhdojnë të thonë me vendosmëri se : krimet nuk mund të fshihen, drejtësia duhet të vijë: Ne nuk harrojmë! Ne nuk do të harrojmë kurrë!






