Nga Beqir SINA – New York
Një një sfidë e re për sovranitetin dhe aleancat ndërkombëtare
Më 12 janar 2026, kongresisti republikan Randy Fine (FL-06) paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve projektligjin “Greenland Annexation and Statehood Act”. Ky akt autorizon Presidentin Donald Trump të ndërmarrë “çdo hap të nevojshëm”, përfshirë negociata me Mbretërinë e Danimarkës, për të aneksuar ose marrë Groenlandën si territor amerikan, me synim përfundimtar pranimin e saj si shteti i 51-të i SHBA-së.
Propozimi vjen në kulmin e interesit të ri të administratës Trump për këtë territor autonom danez më i madhi ishull në botë, me sipërfaqe rreth 2.1 milion km² dhe vetëm rreth 57,000 banorë.
Sipas Fine Groenlanda është aset vital për sigurinë kombëtare amerikane, pasi kontrollon rrugët detare arktike dhe mbron nga zgjerimi i Kinës dhe Rusisë në rajon.
Kurse ekspertet amerikan thonë se ky projektligj i jep autorizim të gjerë presidentit për të negociuar blerjen ose aneksimin. Po sipas tyre, presidenti tani duhet t’i paraqesë Kongresit një raport me ndryshimet e nevojshme ligjore për të pranuar Groenlandën si shtet, me kusht që të ketë një kushtetutë republikane në përputhje me Kushtetutën amerikane.
Fine nga ana e tij argumentoi se “kushdo që kontrollon Groenlandën kontrollon arkitekturën e sigurisë që mbron SHBA-në” dhe se Amerika nuk mund ta lërë të ardhmen e saj në duart e regjimeve që “përçmojnë vlerat tona”.
Kjo sipas tij pasqyron retorikën e Presidentit Trump, i cili ka përsëritur se SHBA duhet ta marrë ishullin për të parandaluar dominimin e Kinës ose Rusisë.
Pas kësaj natyrisht që edhe reagimet kanë qenë të menjëhershme dhe kryesisht negative, për sa i përket projektligjit “Greenland Annexation and Statehood Act”
I pari që reagoi ishte Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i cili deklaroi se banorët zgjedhin Danimarkën dhe NATO-n, jo SHBA-në. Ndërsa, partitë groenlandeze në një deklaratë të përbashkët thanë : “Nuk duam të jemi amerikanë, por nuk duam të jemi as danezë, duam të jemi groenlandezë”.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka thënë se SHBA “nuk ka të drejtë të aneksojë” asnjë pjesë të Mbretërisë daneze, duke paralajmëruar se një veprim me forcë do të shkatërronte NATO-n.
Senatori demokrat Chris Murphy paralajmëroi se marrja me forcë do të shënonte “fundin e NATO-s”.
Kurse zyrtarë të Shtëpisë së Bardhës konfirmuan se çështja është prioritet, por pa afat të saktë kohor.
Shtypi amerikan thotë se ky zhvillim ngre pyetje thelbësore për rendin ndërkombëtar: A mundet një fuqi e madhe të propozojë aneksimin e një territori të një aleati pa shkatërruar besimin në aleanca si NATO? A është Groenlanda vërtet kërcënim sigurie nëse mbetet autonome, apo ky debat reflekton konkurrencën globale për Arktikun që po shkrin?
Në fund, e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga banorët e saj siç insistojnë vetë ata dhe jo nga negociata të imponuara nga jashtë.
Teksti i plotë i projektligjit
H.R. ll
119-të KONGRESI
Sesioni i 2-të
LIGJ PËR ANEKSIMIN DHE SHTETËRIMIN E GROENLANDËS
Në Dhomën e Përfaqësuesve
- FINE paraqiti ligjin e mëposhtëm; i cili u dërgua në Komisionin për punë të Jashtme të Kongresit.
Një Ligj
Për të autorizuar aneksimin dhe pranimin e mëvonshëm si shtet të Groenlandës, dhe për qëllime të tjera.
Le të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kongres të mbledhur:
SEKSIONI 1.
Ky Akt mund të quhet “Greenland Annexation and Statehood Act”.
SEKSIONI 2.
AUTORIZIMI PËR ANEKSIMIN E GROENLANDËS
Presidenti autorizohet të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, përfshirë kërkimin për të hyrë në negociata me Mbretërinë e Danimarkës, për të aneksuar ose përndryshe marrë Groenlandën si territor të Shteteve të Bashkuara.
Pas përfundimit të një aneksioni ose marrjeje të tillë, Presidenti do t’i paraqesë Kongresit një raport që përmban ndryshime të tilla në ligjin federal siç Presidenti mund të gjykojë të nevojshme për të pranuar territorin e sapomarrë si Shtet, në mënyrë që të përshpejtojë miratimin kongresional të shtetërimit të Groenlandës pas miratimit të një kushtetute që Kongresi e përcakton si republikane në formë dhe në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Alaska u bë shteti i 49-të më 3 janar 1959, dhe Hawaii u bë shteti i 50-të më 21 gusht 1959, duke i bërë ato shtetet më të reja që iu bashkuan Unionit, duke shtuar dy yje në flamurin e SHBA-së në të njëjtin vit.



