Çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura janë rritur me 25%, sipas një udhëzimi të ri të Ministrisë së Financave, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Rritja prek kategorinë e autoveturave, kamionçinave, furgonëve dhe kamionëve dhe zbatohet për automjetet me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin doganat, si “Quattroruote”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., të cilat pasqyrojnë çmimet e tregjeve europiane.
Sipas udhëzimit të ri, për autoveturat me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ndërsa për ato nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal shkon nga 400 mijë në 500 mijë lekë.
Rritje prej 25% parashikohet edhe për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, ku pragu minimal rritet nga 500 mijë në 625 mijë lekë. Ndërkohë, për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë.
Udhëzimi i ri parashikon rritje 25% edhe për çmimet e referencës së mjeteve të transportit. Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e zhdoganimit rritet nga 400 mijë në 500 mijë lekë. Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu rritet nga 600 mijë në 750 mijë lekë.
Ndërkohë, për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës shkon nga 850 mijë në 1.062.500 lekë. Për kamionët nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion në 1.250.000 lekë, ndërsa për ata me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion në 1.5 milion lekë.
Këto ndryshime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në koston e zhdoganimit të automjeteve të përdorura, duke rritur shpenzimet për qytetarët dhe bizneset që importojnë mjete nga tregjet europiane.



