Tre shqiptarë u arrestuan gjatë natës nga Karabinierët për një seri vjedhjesh në apartamente në provincën e Ankonës. Të arrestuarit nuk ishin banorë të zonës, por rezultonin të njohur më parë nga forcat e rendit për vepra të ngjashme.
Operacioni erdhi pas një rritjeje të vjedhjeve në banesa, kryesisht në zonat e Val Musone dhe Vallesina. Pas analizës së situatës dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat provinciale të Karabinierëve, hetuesit përqendruan vëmendjen te tre persona të dyshimtë, të panjohur në zonë, të cilët lëviznin me një automjet me qira dhe kishin bërë ndalesa të shumta gjatë pasdites në Castelbellino, Cupramontana dhe Chiaravalle.
Më pas, në orët e vona të mbrëmjes, ata u kthyen në Castelfidardo, ku ishin akomoduar prej disa ditësh. Karabinierët e Njësisë Operative dhe Radiomobile të Osimos dhe Stacionit të Castelfidardos, me mbështetjen e një skuadre të Batalionit të 4-t të Karabinierëve të Mestres, ndërhynë duke i ndaluar në momentin që po hynin në vendstrehimin e tyre.
Gjatë kontrollit të banesës dhe automjetit, u sekuestruan rreth 100 objekte të çmuara, 23 orë dore – disa me vlerë të lartë – çanta firmato, rreth 600 euro para në cash, si dhe mjete pune për vjedhje, përfshirë llamba elektrike, fleksibil dhe vegla për thyerje. Një pjesë e sendeve u njoh menjëherë nga pronarët e apartamenteve të grabitura.
Gjithashtu, në automjet u gjetën dy sete targash të klonuara, përdorur për të shmangur identifikimin nga sistemet automatike të leximit të targave. Verifikimet e mëvonshme konfirmuan se të tre personat ishin autorët e disa vjedhjeve në apartamente, përfshirë një ngjarje të ndodhur më 14 dhjetor në Loreto.
Tre shqiptarët u arrestuan në flagrancë dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, në pritje të seancës së konfirmimit nga gjykata.



