Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në Selanik, ku një i ri 19-vjeçar me origjinë nga Shqipëria ka humbur jetën në rrethana tragjike.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në qendër të qytetit, kur i riu ka rënë nga ballkoni i një banese në katin e katërt. Apartamenti ku ndodhej viktima ishte dhënë me qira afatshkurtër.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë një autoambulancë e shërbimit emergjent, por pavarësisht ndihmës së shpejtë mjekësore, 19-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve zyrtare, hetimet paraprake po kryhen nga efektivët e Komisariatit të Sigurisë së zonës “Lefkos Pyrgos”, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi shkaqet e rënies.



